Është e lehtë ta takosh Desadën, por edhe më e lehtë është të bisedosh me të. Pas vitesh e vitesh përvojë në komunikimin me personazhet, te kryeredaktorja e ”Opinion”-it shquhet me saktësi mprehtësia për të kuptuar menjëherë bashkëbiseduesin. Duhet të jetë edhe kjo veti, padiskutim avantazh në suksesin e saj. Kur e mendon çfarë pune duhet të bëjë për të bindur të tjerët për të folur, për të folur për tema delikate, për të gjetur informacionin e momenteve të fundit për ngjarje që i ndodhin papritur, në 2 orët e fundit para transmetimit… Desada e kundërshtoi përnjëherësh këndin e intervistës: Se është pikërisht ajo që qëndron, njësoj si vetë Fevziu, në suksesin e tij dhe të ”Opinion”-it. Dhe këtë na i argumentoi në këtë bisedë që rrodhi shpejt…”Nuk ka “hije” por ka zgjedhje. Dhe mua më pëlqen shumë kjo që bëj. Ndryshe do kisha zgjedhur të shfaqesha në ekran”, rrëfen krejt hapur.
Desada, je kryeredaktore e një prej emisioneve më të sukseshëm të debatit në Shqipëri. Çfarë mendon se e mban ‘’Opinionin’’ edhe pas shumë vitesh të dashur për publikun?
Vetëm përkushtimi dhe këmbëngulja për të qenë gjithmonë në kontakt me lajmin e fundit dhe për ta trajtuar sa më mirë mundemi në emision.
Sigurisht që fryma e bashkëpunimit në një staf që është thuajse i njëjti dhe pas 10 vitesh është një nga çelsat e suksesit.
Si është një ditë e zakonshme pune për ty? Na thuaj fiks çfarë bën, si e organizon stafin që thua se vazhdon të jetë i njëjti, temat…
Nuk ka asgjë të zakonshme në një punë më përmasa të jashtëzakonshme jo për përmasat por për ritmin që ka.
Nis me lajmet e ditës për portalin, vijon me mbledhjen e përditshme me stafin dhe të emisionit dhe të portalit, ku diskutohet tema e ditës të emisionit por dhe ditët në vazhdim.
Pastaj vijon diskutimi për portalin dhe temat që do trajtohen
Por nuk mbaron këtu…
Sepse pikërisht atëherë kur mendohet se çdo gjë ka përfunduar dhe emisioni është gati në çdo detaj ndodh diçka e re, një lajm që duhet trajtuar në mbrëmje.
Dhe atëherë çdo gjë rinis nga e para. Nga organizimi i panelit dhe deri tek kronikat. Pa harruar tëe lajmërohen për shtyrje ata që kanë qenë per emisionin e paralajmëruar
Cila është gjëja e parë që bën pikërisht kur të ndodh e papritura?
Tmerrohem dhe ankohem sepse çdo gjë tjetër që kam planifikuar rrëzohet. Dhe më duhet të merrem vetëm me temën e re, të ftuarit dhe materialet shoqëruese.
Sigurisht me ndihmën e stafit dhe prezencën Non Stop të Fevziut në çdo hap.
A është e vështirë të bindësh të ftuarit për të ardhur në emision? Cilët personazhe kanë qenë më të vështirët nëse mund të na japësh emra…
Nuk është aq e lehtë sa mendohet. Sepse në disa raste të ftuarit kanë pretendime për pjesëmarrësit në panel, gjë kjo që nuk tolerohet asnjëherë nga ne. Kush është i ftuar nuk ndërrohet kurrë sepse dikush tjetër nuk pranon të jetë me të në panel.
Sigurisht që pas kaq vitesh ne kemi eksperiencën dhe njohjet e duhura për të shmangur përballje personale problematike, por në përgjithësi vështirësitë i kalojmë sipas një parimi universal për ne: asnjë inat nuk ndikon në përzgjedhjen e panelit. Na është dashur të gjithëve të ftojmë edhe personazhe që janë shprehur publikisht kundër emisionit apo Fevziut. Por parimi ynë është: emisioni është më i rëndësishëm se inatet tona. Dhe kjo na ka shërbyer besoj.
Emra, emra duam ne…
Është e pamundur për sa kohë ata do jenë ende të ftuar në emision. Nëse do na përgjoni ndonjëherë në mbledhje dhe mund të merrni vesh ndonjë. (Qesh)
Atëherë na thuaj 2-3 emisionet që për ty kanë patur debatet më të forta, më të sikletshme, më të debatuarit…edhe më të ndjekurit pse jo…
E kam shumë të vështirë sepse çdo emision është sfidë më vete. Ndryshe nga Fevziu që ka memorie brilante për debatet dhe datat e emisioneve, unë nuk kam memorie të mirë. Për mua emisioni i ardhshëm është sfida që duhet të tejkalojë çdo debat që ka kapur majat e audiencës.
Kështu që prirem të them që debatet e këtij viti do jenë të mirët që kemi patur ndonjëherë.
Me kë e keni sfidën në fakt?
Me veten, me opinionin. Ajo është sfida jonë më e madhe.
Sigurisht që ne ndjekim dhe emisione të ngjashme, shikojmë dhe mësojmë dhe prej tyre. Por sfida jonë mbetet të krijojmë më të mirën e mundshme për publikun që prej kaq shumë vitesh i mbetet besnik opinionit.
Çfarë përgjigje do ju ktheje zërave kritikë që thonë që gjithnjë në emisionet shqiptare janë të njëjtët njerëz që ftohen, pra një rreth i mbyllur…Në fakt çfarë strategjie përdorni ju për të arritur audiencën?
Po në fakt nuk janë gjithmonë të njëjtët. Tentojmë shumë herë të marrim dhe të rinj, ekspertë të fushës dhe disa prej tyre kanë rezultuar të suksesshëm dhe disa jo.
Është një nga sfidat tona që të promovojmë njerëz të rinj. Disa herë ia dalim, disa herë jo. Kjo është Shqipëria me kufizimet e saj dhe me intelektualët me kufizime që po prodhon. Mendimi im personal është që vitet e fundit, kufizimi i mendjes dhe vënia në rreshtime politike apo interesave ekonomike e ka bërë të vështirë “përshfaqjen e talenteve” të reja mediatike.
Më parë ka qenë më e lehtë edhe për faktin se ne kishim hapësirë të zgjidhnim politikanët që vinin në emision. Prej shumë vitesh kjo është përzgjedhje ekskluzive e partive politike, çka ka bërë që debatet politike të jenë ato më të vështirat për të patur audiencë të lartë.
A jeni të lirë ju të ‘’Opinionit’’ e kam fjalën të lirë për të trajtuar gjithçka…A ecën paralel linja juaj editoriale me atë të TV Klan…Aleksander Frangajt…
Më duket pak a shumë pyetje retorike, mjafton të shohësh opinionin dhe e kupton që çdo teme që trajtohet është tërësisht e lidhur me ngjarjen e ditës apo aktualitetin pa u përqëndruar tek mënyra si është trajtuar në çdo media tjetër. Kjo mbetet veçoria dhe për mua personalisht suksesi kryesor i këtij emisioni që sigurisht ka mbështetjen pa limite të ”TV Klan”.
Të kthehemi te Fevziu. Si do ta përshkruaje marrëdhënien profesionale me të. A bën ai rolin e shefit apo më shumë të kolegut?Çfarë ke mësuar nga ai dhe çfarë i ke mësuar?
Ne jemi bashkëpunëtorë që nga dita e parë që kemi nisur punën bashkë me një staf të limituar që sot është rritur në numër.
Unë jam supersticioze nga natyra dhe nuk më pëlqen të flas shumë për gjërat që më ecin mbarë (buzëqesh)…. kështu është dhe kjo e punës.
Fjala “shef” për mua ka konotacion shumë përçmues dhe askush nuk e përdor në stafin tonë. Vlerat i tregojmë me punë dhe përkushtim ndaj kryqëzojmë gishtat kur kujtojmë se kemi aq vite bashkëpunim sa nuk ka patur asnjë staf tjetër në mediat shqiptare.
Nga Blendi kam mësuar shumë për tolerancën dhe indiferencën për ata që shajnë pa argumente. Disa prej të cilëve edhe i kam ftuar në emision. Kjo është vlerë e shtuar për suksesin e një programi dhe e vlerësoj.
Neve nga jashtë na jepet përshtypja që je një hap pas Fevziut. A është e vërtetë, apo është një formë bashkëpunimi, dikush duhet të jetë në prapaskenë… A ke menduar ndonjëherë ta lësh prapaskenën…domethënë të drejtosh vetë një emision?
Qëndron vetë Fevziu, me të mirat dhe defektet që ka si çdo njeri. Por besoj triumfon e mira sepse suksesi ka gjithmonë një grup dhe varet nga ai që e udhëheq grupin. Dhe Blendi e bën shumë mirë.
Nuk ka “hije” por ka zgjedhje. Dhe mua më pëlqen shumë kjo që bëj. Ndryshe do kisha zgjedhur të shfaqesha në ekran apo të bëja ndonjë emision me audiencë të kufizuar.
Ajo që më mban fort ende dhe pas kaq vitesh është liria për të thënë dhe shkruar atë që mendoj duke e argumentuar. Qoftë edhe nëse nuk është ajo që shfaqet në emision. Për këtë tashmë kemi dhe portalin ”opinion.al”, i ri dhe modest por me shumë hapësirë.
Kam patur shumë vite eksperiencë në ekran dhe e kam shijuar sa kam mundur por në fund të ditës kur rritesh profesionalisht një shkrim me emrin tënd vlen më shumë se disa muaj lajme duke lexuar kokat e kronikave që i kanë përgatitur të tjerë gazetarë.
Keni një gjë shumë interesante, xhirimet ”Off Records”. Sa e vështirë është t’i realizosh, kur të gjithë e dinë që filmohen…
Ideja ka qenë jona para disa vitesh. Është e vështirë sidomos vitet e fundit sepse tashmë të ftuarit nuk harrojnë dhe janë shumë.
Janë të kujdesshëm edhe gjatë regjistrimeve edhe spoteve. Sigurisht që dhe ne “kursejmë” shumë gjatë përzgjedhjes dhe disa prej tyre e dinë shumë mirë. Megjithate e dimë që shumë njerëz kanë interes të dinë çfarë ndodh pas kuintave ndaj përpiqemi herë pas here të hedhim në ”Facebook” apo ”Instagram” foto dhe video përpara apo përgjatë emisionit.
Nuk mund të rri pa të pyetur meqë zgjedhjet po trokasin. Si i parashikon zhvillimet e fushatën dhe politikisht sa janë gjasat e partive dhe koalicioneve për të fituar…
Të paktën nuk më pyete për modelet e flokëve dhe veshjen (qesh)… do e kisha më të lehtë në fakt. Nuk e njoh veten parashikuese të mirë për shkak të pasionit që kam për politikën por padyshim i njoh kësaj loje lojtarët e mëdhenj që do bëjnë lëvizjet vendimtare. Qofshin këto edhe pas zgjedhjeve apo pas regjistrimit të koalioneve në KQZ.
Parashikoj fushatë të ashpër dhe të pasur. Shpresoj që shumë nga lekët e fushatës të shkojnë dhe për shqiptarët e thjeshtë dhe jo për blerjen e votës.
Por nuk e përjashtoj që do ketë treg votash dhe me çmim më të larte se zakonisht. Gjithsesi shpresoj që të ketë një frymëmarrje të re pas qershorit./Valmora Gogo-Shuplaka
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”1091″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]