Edhe pse është e diel projekti për ta shkatërruar tërësisht qendrën e vjetër historike të Torres Veneciane vazhdon. Prej datës 8 shkurt ishte njoftuar se punimet do të pezullohen, ndërkohë që në një videot e sjella para pak minutash te ‘’Shuplaka’’ jo vetëm që punohet po madje edhe makina që sjellin beton janë të pranishme aty.
Kujtojmë se kundër zhvillimit të këtyre punimeve janë shprehur arkeologë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Është absurde të shohësh sesi vlera të rralla të trashëgimisë sonë kulturore dhe historike të shkatërrohen në këtë mënyrë.
Pak më poshtë ju tregojmë lajmin e datës 8 shkurt ku njoftohej ndalja e punimeve:
Protesta e Shoqërisë Civile kundër projektit “Veliera” në themelet e Torres Veneciane ka bërë të mundur që të ndërpriten punimet në një pjesë të sheshit “Veliera”.
Mësohet se disa arkeologë po monitorojnë punimet prej të shtunës të kaluar, ndërkohë që thuhet se pjesa tjetër e asaj çfarë është zbuluar në këtë shesh është varrosur.
Sipas “Durrës lajm”, arkeologët kanë pohuar jashtë kamerës se po ndjekin hapat ligjorë për dokumentimin e zbulimit, por se çfarë do të ndodhë më tej, mbetet e paqartë. Përfaqësuesit e Shoqërisë Civile kallëzuan penalisht në prokurori kreun e bashkisë, Vangjush Dako dhe e paditën në Gjykatën Administrative për ndërprerje të punimeve, me pretendimin se zbulimet arkeologjike ishin varrosur poshtë betonit. (E.K/SHUPLAKA)