Kryeministri Edi Rama ka reaguar për grabitjen e bankës ku u morën 3.7 milionë dollarë nga blindi i një bankës. Rama i del në mbrojtje Policisë së Shtetit, për të cilën thotë se jo vetëm që nuk ka gisht por edhe ka zbardhur grabitjet.
Ai ka theksuar se banka së cilës iu grabitën paratë, nuk ishte kujdesur për sigurinë minimale dhe grabitja ndodhi pasi nuk u zbatuan masat e sigurisë.
“Ç’punë të bëjë më shumë një polici e një shteti kur banka s’është e përgatitur të lajmërojë menjëherë policinë? Sulmi i Berlinit jo vetëm që s’u kap dot në flagrancë por u arrestua ditë më vonë madje në një shtet tjetër. Askush, as opozitarët dhe as gazetarët nuk vrapuan të sulmojnë egërsisht policinë, kurse këta t’i nxjerrin fundin kazanit të llafeve vetëm për ta mbuluar me llum…barbari politike e pashoqe dhe e turpshme, në asnjë vend tjetër s’bën vaki…u ndizen sytë flakë kur ndodh një krim”, tha Rama për opozitën.
Më tej ai ka shtuar se opozita e cilësoni qeverinë dhe policinë si autore të grabitjes. “Kanë ndodhur disa grabitje të kësaj natyre vitet e fundit. Nuk është një fenomen i ri. Në qeverisjen e kaluar bankat janë grabitur 32 herë. Grabitjet kanë qenë të organizuara me një ndihmë nga brenda këtyre institucioneve. Suksesi i grabitjeve edhe nga sistemi mizerabël i sigurisë. Policia e Shtetit ka zbardhur plotësisht qoftë rastin e bujshëm të Rinasit, qoftë të bankës në qendër të Tiranës. Janë arrestuar disa autorë dhe disa të tjerë në kërkim. Policia e Shtetit jo vetëm që nuk ka gisht në grabitjen e bankave, por ka kërkuar nga bankat marrjen e masave për sigurimin e zinxhirit të brendshëm të tyre. Në rastin e fundit vonese në lajmërimin e policisë”, tha Rama. (J.V/Shuplaka)