Tragjedia e Otrantos është një nga ato ngjarjet që plagosi zemrat e shumë familjarëve. Në një kohë që kanë kaluar vite nga ngjarja për ta vjen një lajm i mirë. Është ektraduar drejt vendit tonë njëri prej skafistëve Elton Tafili, i dënuar me 25 vjet burg nga Gjykata e Vlorës, siç raportojnë mediat italiane. Mësohet se Tafili ka mbërritur dje në Tiranë me një avion që u nis nga Roma për të vuajtur dënimin në burg.
Sipas “Milano Today” 38-vjeçari u arrestua në prill të vitit të kaluar në qytetin e Milanos, pasi ishte dënuar me 25 vjet burg nga drejtësia shqiptare për trafik të qenieve njerëzore me qëllim emigracionin klandestin. Ndonëse ndaj tij kishte një urdhër arresti ndërkombëtar, Tafili ka mundur t’i fshihet për 10 vjet Interpolit, duke u pajisur me dokumente të falsifikuara greke, deri kur më 13 prill të vitit të kaluar policia italiane e kapi në sheshin “Tirana” në Milano gjatë një kontrolli rutinë.
Gjykata e Vlorës në vitin 2006, e akuzoi Elton Tafilin si një nga skafistët që drejtonin gomonen me 39 persona që më 9 janar të vitit 2004 u mbyt në ujërat e kanalit të Otrantos, ndërsa udhëtonte nga Shqipëria drejt Italisë.
Nga kjo tragjedi mundën të shpëtojnë vetëm 11 persona, 6 prej të cilëve ishin skafistë e mes tyre dhe Elton Tafili. 28 persona mbetën të mbytur e 7 prej tyre nuk iu gjetën trupat kurrë. Procesi gjyqësor vërtetoi se çdo person kishte paguar 1500 euro për të udhëtuar me skaf drejt Italisë, e se kjo tragjedi mund të evitohej. (E.K/SHUPLAKA)