Ajo që tashmë dihet është se Kodi Zgjedhor në Shqipëri nuk favorizon partitv e vogla. Dhe aq më pak nëse ato dalin pa një koalicion si ”mburojë”. Këtë e di dhe Ben Blushi vetëm se kjo nuk e bën të kthehet pas në vendimin që ka marrë. LIBRA do të dalë e vetme në zgjedhjet e Qershorit dhe rezultati që ajo do të korrë do të jetë një suprizë më vete.
Në një intervistë për AbcNews, kreu i sapozgjedhur i Listës së Barabartë e quan të padrejtë sistemit që shtrembëron votën e qytetarëve. “Sistemi favorizon partitë kur ato janë dy, tre, katër, pesë ose gjashtë, kjo është e padrejtë. Nëse ti ke një votë, nuk mund të dalësh me një votë e gjysmë, për shkak të sistemit. Unë them se çdo parti duhet të dalë më vete për të matur sesa vota vlen dhe nëse pas zgjedhjeve ka mundësi për të bashkëpunuar, kjo është një mundësi që duhet konsumuar pas zgjedhjeve. Por para zgjedhjeve, askush nuk duhet të gjejë strehë tek sistemi duhet të dali më vetë për të matur forcat e veta. Mendoj se kjo do ishte dhe më e mirë për shqiptarët, që votojnë njërin dhe i del tjetri” thotë Blushi.
“Ajo që ka ndodhur te Rilindja është se nuk ka pasur fare votim, dhe kur u bë referendum, votat u vodhën. Ende sot nuk ka një rezultat të referendumit, por kjo është një histori e mbyllur. Nuk dua të merrem me Rilindjen si një mbetje të shoqërisë. Ajo që dua të them është që LIBRA është një parti e hapur, një organizatë transparente, ku gjithkush voton, thotë mendimin e tij dhe që nuk ka asnjë krahasim me asnjë nga këto parti të vjetra, si PS, PD, LSI apo kë të doni ju, ku nuk ka votim. Ka vetëm emërim”,- shtoi ai. (E.K/SHUPLAKA)