Një person është ndaluar së fundmi nga policia, nën akuzën e përfshirjes në grabitjen e 9 shkurtit në Qafë-Kashar, ku pesë persona të maskuar mundën që në kërcënimin e armës të grabisnin 3.2 milionë dollarë të Bankës Kombëtare Tregtare.
Është ndaluar nga policia në kuadër të hetimeve shtetasi me iniciale F. XH. Ai u shoqërua fillimsht nga policia në cilësinë e të dyshuarit, së bashku me vëllanë, por në ndryshim nga ai nuk u la i lirë.
F. XH. nga Lushnja dyshohet se ka qenë bashkëpunëtor në grabitje dhe prej tri ditësh nuk mundet të kontaktojë me askënd, pasi mbahet në izolim. Burime për një portal online, bëjnë të ditur se avokati mbrojtës i tij i kontaktuar nga familja, do e takojë të ndaluarin përpara marrjes së masës së sigurisë e cila do jetë një seancë sekrete në gjykatë për vetë rrethanat e çështjes dhe rëndësinë e hetimit.
Nga verifikimet e deritanishme të kryera përmes antenave të kompanive celulare, rezulton se të dy vëllezërit kanë qenë të pranishëm 30 minuta para dhe pas grabitjes, në zonën përreth Qafës së Kasharit dhe Rinasit, ndërsa njëri prej tyre është punonjës i një policie private. (XH.A/SHUPLAKA)