Fation Xhyliu është një ndër katër të arrestuarit për grabitjen e 3.2 milionë dollarëve në Qafë-Kashar, i cili ka luajtur një rol kyç në zbardhjen e skemës së grabitjes. Ish-polici privat, në cilësinë e të pandehurit të penduar, ka shfaqur pendesë për përfshirjen në grabitjen e Rinasit.
Në një intervistë për një gazetë të përditshme, prindërit e tij shprehen se ende nuk mund ta besojnë që i biri është i implikuar në krim. Kujtim dhe Lumturi Xhyliu shpresojnë se Fationi e ka pranuar grabitjen ndikuar nga presioni dhe shtrëngimi që i ka bërë policia gjatë marrjes në pyetje.
I ati i bën thirrje nëse ka gisht në këtë ngjarje, atëherë të thotë të vërtetën dhe të pranojë fajin. Ndër të tjera, Kujtim Xhyliu ka rrëfyer se i biri punonte shpesh në Greqi dhe me të ardhurat që siguronte, mbante familjen e tij.
“Djali ka mbaruar të mesmen dhe punonte si polic privat. Në muajin tetor ai u shkëput, meqë ishte koha e rrushit dhe shkoi në Greqi se e kishte punën gati. Atje punoi për tre muaj se pasaporta aq e lejonte. Punoi në kantinë vere, dhe u kthye për Vit të Ri. Me ato para që mori andej mbante shtëpinë, ruante edhe shpenzimet e djalit, por në të njëjtën kohë nusja e tij ka një sallon bukurie në Tiranë ku punon dhe nxjerr fitime normale”, është shprehur ndër të tjera ai. (XH.A/SHUPLAKA)