Pas detajeve të zbuluara, Prokuroria e Përgjithshme urdhëroi heqjen e mandatit të deputetit socialist Armando Prenga, ndërkohë që gjykon se nuk duhet t’i hiqet mandati deputetit Flamur Noka.
Në bazë të kërkesës së një grupi deputetësh, Prokuroria e Përgjithshme verifikoi informacionet lidhur me një masë të mundshme sigurimi dhënë ndaj tij në vitin 1991, nga autoritetet e ish-Republikës Federative Jugosllave.
Referuar informacionit zyrtar të marrë nga ana e autoriteteve të Republikës së Serbisë, rezulton që subjekti Flamur Noka, “nuk figuron në evidencat e Ministrisë së Punëve të Brendshme Serbe dhe si rrjedhojë nuk ka evidenca dënimesh në lidhje me këtë subjekt”.
Sa i përket faktit se ky subjekt është dëbuar nga një shtet i huaj, nga ish-Jugosllavia, Prokuroria e Përgjithshme ka mbajtur parasysh faktin se pyetja 7 e formularit të vetëdeklarimit përjashton nga detyrimi për deklarim vendimin e dëbimit për rastet e shkeljes së rregullave të emigracionit që kanë të bëjnë me rregullat e qëndrimit apo hyrje-daljes nga territori i një shtetit të huaj.
Pavarësisht se nuk rezulton të ketë vendim dëbimi, por edhe nëse do të kishte një vendim të tillë për kalimin e paligjshëm të kufirit drejt të ish-Jugosllavisë, subjekti nuk ka pasur detyrimin ligjor për ta deklaruar këtë vendim.
Nisur nga arsyet e lartpërmendura, është arritur në konkluzionin se deputetit Flamur Noka nuk është në kushtet e ndalimit. (XH.A/SHUPLAKA)