Deputeti i PD-së Kastriot Islami deklaroi se nga protestat e opozitës kërkohet largimi i Ramës, krijimi i një qeverie teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme.
“Në 2009 PS-ja mori pjesë në zgjedhje dhe Rama ishte i pakënaqur nga rezultati. Pse ishte i pakënaqur sepse kishte një nen në statut që thoshte se duhej të dorëhiqej dhe sajoi një protestë për t’u përligjur. 2013 tregoi se beteja e Ramës ishte një alibi për të shmangur atë pikë të statutit”, tha Islami.
Përsa i përket vijimit të protestave Islami tha se ky është vetëm fillimi i një proteste dhe fillimi i fundit të kësaj qeverie. “Po ta shikojmë me vëmendje Rama ka 4 javë që nuk vjen në parlament. Një nga ministrat e tij ka thënë se mbledhjet bëhen pa prezencën e tij, pra është një qeveri që praktikisht ka rënë. E shikoj dhe në parlament, maxhoranca është e demoralizuar. Pjesa e tjetër e Aleancës, LSI nuk vjen. Kjo qeveri ka rënë”, u shpreh ai.
Ismali deklaroi edhe mundësinë e krijimit të një e një qeverie teknike dhe tha se ka mënyra për t’u krijuar maxhoranca në parlament.
“Ose Rama të japë dorëheqjen për shkak të protestave popullore, nuk është hera e parë dhe e dyta mundet që nëpërmjet prezencës së qytetarëve që jam i sigurt që do shtohen, Rama të kuptojë që nuk mundet të qëndrojë me arrogancë në pushtet. Ka edhe mënyra të tjera. Ka mënyra për t’u krijuar maxhoranca në parlament. Në qoftë se do ketë ndërgjegjësim të deputetëve për të mos e lënë të rrëshqasë vendin. Në parlament ka një numër të mjaftueshëm deputetësh që nuk do lejonin që vendi të shkonte në gjendje kaotike”, tha Islami për “News 24”. (J.V/Shuplaka)