Teksa protesta e opozitës ka hyrë në ditën e dytë të saj, kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, i cili iu bashkua një ditë më parë protestës, ka paralajmëruar një rritje të numrit të protestuesve.
Kreshnik Spahiu dhe aktivistët e Aleancës Kuq e Zi nisën pak më herët protestën e opozitës, të parashikuar në orën 12:00. Sot në ditën e dytë të saj, lideri i kësaj lëvizje e cilëson protestën e djeshme si të jashtëzakonshme dhe shprehet se ajo do të vazhdojë deri në rrëzimin e kësaj qeverie.
“Tre objektiva ka kjo protest e opozitës: E para, kohëzgjatja, e dyta, diversifikimi. Mos banalizohemi si socialistët që hëngrën pinë para disa vitesh, e dolën 10 kile më të shëndoshë. E treta, ne i premtojmë publikut që fundi i protestës do jetë dyfishi i numrit të protestuesve. U tha se ishin mbi 200.000 pjesëmarrës.
Edhe ata që patën frikë do i shohim në një mega protestë. Protesta sukses I jashtëzakoshëm. Mos harroni 21 janarin, si u hoqën pllakat. Qytetarët dje treguan se janë më të edukuar dhe revolucionarë, numri i djeshëm i protestuesve disa herë më i madh se ai në rumani.
E keni parë që LSI dhe PS nuk po prononcohen. Ne dëshironim t’i jepnim sot fund protestës por nëse qeveria reziston duke mos u dorëzuar do përballen me revolucionin qytetar, kanë dalë për të drejta ligjore, të drejta kushtetuese. Jam krenar që nuk jam pjesë e parlamentit shqiptar, është më e ndershme të mos jesh sesa të jesh deputet.
Unë kam premtuar se do jem protestuesi dhe qytetari i fundit që do të largohem nga kjo protestë.”, u shpreh ai ndër të tjera. (XH.A/SHUPLAKA)