Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka qenë i pranishëm në Shkollën e Mesme të Bashkuar në Mullet, në kuadër të aktivitetit “Tirana Fest” që ndryshe nga një vit më parë, këtë vit, të rinj nga mosha 15 deri në 19 vjeç të gjimnazeve të njësive administrative që i janë shtuar së fundmi Bashkisë së Tiranës, si Baldushku, Farka, Kashari, Peza, Vaqarri, Shëngjergji, Ndroqi, performuan në tre disiplina të ndryshme: muzikë, kërcim dhe multimedia.
Në fjalën e tij, ai shprehu bindjen se kush ka talent dhe vullnetin për të ecur përpara, mund t’ia dalë në çdo fushë, nëse i vë qëllim vetes. Ai shprehu besimin se me Bashkinë dhe skuadrën e sotme, kush ka talent, kush është i mirë, kush punon fort, mund t’ ia dalë me shumë sukses”.
“Një nga gjërat që më mërzit është fakti se si kafet janë plot me djem dhe vajza të rinj. Në Francë, Itali, Gjermani, kafet kryesisht i mbushin mosha mbi 70 vjeç, kurse ne e fillojmë që 14 vjeç. Nuk është normale! Kjo është mosha më e bukur. Më vjen mirë që ‘Tirana Art Fest’ i ka hequr djemtë dhe vajzat nga kafet, bingot dhe bastet, dhe i ka kthyer te arti, kënga, te vallëzimi. Ndaj jam shumë krenar për ju”, tha Veliaj. (XH.A/SHUPLAKA)