Kreu i Departamentit të Administratës Publike në PD, Endira Bushati, komenton “ABC News” për raportimin e fjalës së gazetarit Armand Shkullaku në protestën e sotme të opozitës.
“Çfarë turpi për ABC News… Nuk “ua mbajti” të mos transmetonin (edhe pse shkurt) fjalën e Armand Shkullakut gjatë protestës së sotme të opozitës…. Por… As nuk e raportuan si pjesëmarrëse, jo më të transmetonin ndonjë fjali të Sonila Meços, ikonë e gazetarisë dhe vetë ABC News për vite me radhë…”, shkruan ish-kryetarja e AMA-s.
Në protestën e opozitës, Shkullaku u shpreh i zhgënjyer nga qeverisja aktuale, e cila u bë shkak edhe për largimin nga puna. “Qytetarët këto 4 vjet janë ndjerë të nëpërkëmbur, të lënë pas dore dhe pavarësisht përpjekjeve të opozitës nuk ka pasur një përfaqësim më të fortë, për të pasur një zë, për të qënë zëdhënës të shqetësimeve të tyre. Mendoj se ky është momenti.”, tha Shkullaku.
Kujtojmë se Shkullaku u shkarkua nga drejtimi i këtij televizioni rreth një muaj më parë, për shkak të ndryshimit të linjës editoriale nga pronari i saj. Vendimi është marrë nga pronari i televizionit në fjalë, Aleksandër Frangaj, vendim ky që nuk ka lënë shije të mirë si te gazetarët ashtu edhe në opinion publik. Bushati e cilëson si një turp për “ABC News”, që pavarësisht se e shkarkoi Shkullakun, e transmetoi sërish fjalën e tij, pavarësisht se të paplotë. (D.D/Shuplaka)