Sot protesta e opozitës ka hyrë në ditën e tretë të saj, ndërkohë që një numër i madh protestuesish vazhdojnë të qëndrojnë në çadrën e ngritur përpara Kryeministrisë.
E teksa ende nuk dihet se sa do të zgjasë për shkak të mungesës së një afati përfundimtar, kjo protestë e qytetarëve të pakënaqur ka pasur disa pika kulminante që janë karakterizuar nga reagime, prani të figurave të njohura apo takime pas zënkave disa vjeçare.
Pika e parë kulminante ishte nisja e protestës pak përpara orarit të përcaktuar në 12:00. Ishin aktivistët e Aleancës Kuq e Zi që marshuan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë.
Pika e dytë kulminante ishte fjalimi i kryetarit demokrat Lulzim Basha, përpara qindëra mijëra qytetarëve të mbledhur në shesh, të ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit. Ai u zotua se ishte i gatshëm për të udhëhequr shqiptarët, për t’i nxjerrë nga kaosi. Basha theksoi se do vijohet të protestohet deri në vendosjne e një qeverie teknike.
Gjatë protestës, kryeministri Edi Rama reagoi nga Kosova duke transmetuar live në “Facebook”-un e tij protestën e opozitës, duke uruar fundjavë të mbarë.
Një tjetër pikë kulminante ishte ngritja e çadrës përpara Kryeministrisë, që vijon ende të strehojë dhjetëra e dhjetëra qytetarë, të cilëve në natën e parë iu bashkuan edhe përfaqësues të partive opozitare. Gjatë ngritjes së tendës, Basha dhe Berisha vijuan të shoqëronin protestuesit, këmbëkryq në shesh.
Vetë Basha qëndroi deri në orën 04:00 të mëngjesit me ta, kohë gjatë së cilës u takua e u përshëndet edhe me punonjësit e policisë, të ngarkuar për mbarëvajtjen e protestës. Të nesërmen, ai u shoqërua edhe nga bashkëshortja.
Pavarësisht se deri më tani nuk është shënuar asnjë incident, një ditë më parë Kryeministria u rrethua me barrikada si masë mbrojtëse ndaj sulmeve të protestuesve pak metra më tutje.
Ditën e djeshme, Edi Rama reagoi për të dytën herë lidhur me protestën e opozitës, duke u shprehur se opozita “i trembet Reformës në Drejtësi ashtu si djalli temjanit”.
Në ditën e dytë të protestës, ishte i pranishëm në çadër edhe gazetari Armand Shkullaku, i cili u bë pjesë për herë të parë e një organizimi politik. “Sa më tolerantë, sa më të hapur, sa më konsensualë jo vetëm opozita por edhe ne qytetarët kemi qenë, aq më arrogante është treguar qeveria dhe aq më e dhunshme. Kështu që mendoj se momenti i tolerancës ka mbaruar.”, u shpreh ai.
Pikë kulmore e saj ishte takimi dhe bashkëbisedimi i ish-kryeministrit Sali Berisha me kreun e Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu. Lideri historik i PD-së qëndroi dje ballë për ballë me Spahiun, 9 vjet pas përplasjes mes tyre. Gjatës bisedës në çadër, Berisha e falënderoi atë për mbështetjen ndaj PD-së.
(XH.A/SHUPLAKA)
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”1177″ exclusions=”158,159,160,163,164,165,166″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]