Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj një ditë pas debateve në Këshillin Bashkiak dhe përplasjeve me anëtarët e djathtë, Fabina Topollajin dhe Leonard Ollin ka shigjetuar sërish me akuza ndaj opozitës. Teksa ishte i pranishëm në Shkozë, ku prezantoi dhe një projekt për ndërtimin e banesave sociale për 400 anëtarë të komunitetit rom në këtë zonë, Veliaj tha se ata që bëjnë sherrin politik dhe nuk lëvizin as gishtin, duke harruar sipas tij dhe shqetësimet e qytetarëve. Veliaj tha se Bashkia e Tiranës është ajo që kujdeset për qytetarët.
“Në një qytet të mirë, nuk duhet të zgjedhim midis investimeve dhe zaptimit të territorit për efekt banimi. Ajo që duhet të bëjmë është, edhe investime korrekte, pra disiplinim të gjithë rrjedhës së Lumit të Tiranës që të mos shkaktojë më përmbytje, por edhe banesa sociale për të akomoduar 400 anëtarë të komunitetit rom që sot kërkojnë strehim”, tha ai.
Kreu i bashkisë siguroi se pavarësisht debateve politike, Bashkia e Tiranës ndjek me vëmendje shqetësimet e qytetarëve të cilët kanë probleme sociale. “Për ata që bëjnë sherrin politik dhe nuk lëvizin as gishtin, shqetësimet e qytetarëve harrohen. Por, për ne të Bashkisë së Tiranës që nuk harrojmë e jemi të përgjegjshëm, i ndjekim situatat, siç ndoqëm komunitetin rom te bregu i Liqenit, te Pallati me Shigjeta, te Bregu i Lumit dhe siç po e ndjekim në Shkozë, me investimin që po bëjmë këtu, në mënyrë që komuniteti rom të kalojë nga barrakat buzë Lanës, në një vend shumë herë më komod dhe të pranueshëm”, tha Veliaj, ndërsa shtoi se kushti i vetëm që këto familje të përfitojnë strehim është regjistrimi dhe vaksinimi i fëmijëve. Ai theksoi se arsimimi i fëmijëve është “bileta” për të dalë nga varfëria.
“E vetmja gjë që duhet të paguajnë familjet është t’i binden Bashkisë së Tiranës për regjistrimin e detyrueshëm në shkollë, kopshte e çerdhe të fëmijëve, për vaksinimin e tyre, sepse fëmijët e shëndetshëm dhe të arsimuar janë një “biletë” që familjet të dalin nga varfëria dhe të mos kenë më nevojë për dorën e bashkisë”, nënvizoi ai. Veliaj deklaroi se Bashkia e Tiranës, krahas investimeve infrastrukturore, gjithmonë do të tregojë një kujdes të veçantë edhe për shtresat në nevojë.
“Dua t’i garantoj të gjithë qytetarët e Tiranës, që bashkia jo vetëm bën investime të përgjegjshme, por është edhe nga ana sociale e përgjegjshme dhe nuk ka pasur asnjë investim të Bashkisë që të ketë pasur humbje sociale apo të dinjitetit njerëzor. Ndaj, e përsëris, kur largohet sherri e shamataja, kur largohen të gjithë ata që ulërasin për komunitetin rom e egjiptian, e vetmja që mbetet në krye të detyrës për t’i qëndruar deri në fund fjalës së akomodimit është Bashkia e Tiranës”, tha ai.
Kryebashkiaku garantoi se çdo zhvendosje e qytetarëve për shkak të projekteve publike, do të rikuperohet duke krijuar të gjitha kushtet e nevojshme. “Jam shumë krenar për kolegët edhe për ata që po punojnë për aspektet inxhinierike, për ujësjellësin, për akomodimin e integrimin në këtë njësi apo për gjithë infrastrukturën sociale sepse besoj se bashkimi bën fuqinë. T’i tregojmë këtij qyteti që Po, ne mund të urbanizohemi, të zhvillohemi, mund të bëjmë projekte të mëdha si Bulevardi i Ri dhe Lumi i Tiranës, por nuk do të kemi asnjë humbje të dinjitetit njerëzor, duke u siguruar që çdo zhvendosje prej këtyre investimeve në zona të ndërtimit pa leje, do i rikuperojmë me krijimin e hapësirave të tilla për komunitetin rom dhe egjiptian”, tha Veliaj. (J.V/Shuplaka)