Mark Marku ka deklaruar në studion e Opinion se Shqipëria brenda 25-viteve ka pasur dy raste që ka shkuar në prag të luftës civile me arsyen e manipulimit të zgjedhjeve.
Marku tha se zgjedhjet në vitin 1996 u manipuluan, po ashtu edhe në ’97 erdhi konflikti civil.
“Ndërsa në vitin 2009 kur ishin zgjedhjet, u pretendua nga PS për hapjen e kutive pasi edhe mund të kishte parregullsi. Por çështja shkoi deri tek 21 janari, gati-gati, ishim në prag të një konflikti civil” tha ai.
Marku po ashtu shtoi se sipas një sondazhi gjerman 86% e shqiptarëve mendojnë se zgjedhjet do të jenë të manipuluara.
“Në një vend që 86 për qind e qytetarëve që mendojnë se zgjedhjet do të manipulohen, si mund të bësh zgjedhje? Në këtë kuptim është shumë më mirë që ta bësh betejen para zgjedhjeve, që do të thotë, të bësh protesta nëse nuk realizohet me protesta, të bojkotosh zgjedhjet dhe ta detyrosh që të krijohen parakushtet që të realizohen zgjedhje të lira”, tha Marku, ish deputet i PD.
Marku ka theksuar se vendi është në një situatë që po zien nga pakënaqësia dhe sipas tij vetëm një qeveri debile nuk e kupton se situata është gati të shpërthejë. (M.D/ Shuplaka)