Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka pezulluar nga detyra dy prokurorë të Prokurorisë së Përgjithshme.
Janë pezulluar prokurori Artur Selmani dhe Drejtori i Drejtorisë së Përgjitshme Gjyqësore, Alma Muça. Mësohet se Llalla urdhëroi nisjen e hetimit ndaj dy prokurorëve që kërkuan pushimin e çështjes së vrasjes të tre të rinjve në Vlorë.
Bëhet fjalë për qëndrimin e dyshimtë të mbajtur në Gjykatën e Lartë ku po zhvillohet rekursi për ngjarjen e 2015-ës në Vlorë, ku tre të rinj humbën jetën pas një konflikti të armatosur.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe më pas Prokuroria e Apelit Vlorë vendosën dënime maksimale për tre të akuzuarit: një i dënuar me burgim të përjetshëm, dy të dënuar me 35 vjet burg nga Gjykata e Apelit në Vlorë.
Por pas rekursit që të pandehurit kanë dorëzuar në Gjykatën e Lartë, prokurori i çështjes, Artur Selmani nuk mbështeti qëndrimet e mëparshme të Prokurorisë dhe kërkoi pushimin e akuzave shumë të rënda. Këtë qëndrim të dyshimtë, prokurori Selmani pretendon se e ka diskutuar me Drejtorin e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça.
Në një intervistë për “Shuplaka”, babai i një prej viktimave, Akil Rakipit, rrëfeu diçka të rëndë që po ndodh gjatë këtij procesi, kryesuar nga gjykatësit Edmond Islamaj, Shkëlzen Selimi, Tom Ndreca dhe Artan Zenelaj me relator Guxim Zenelaj. Ai u shpreh se sipas tij, problemi qëndron te prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme Artur Selmani, i cili është blerë.
”U bëj thirrje gjithë institucioneve që kriminelët sipas ligjit të qëndrojnë atje ku e kanë vendin dhe ky palo prokuror të mbajë përgjegjësi sepse me këtë që po bën ai, kushedi se deri ku do ta çojë gjakun!”, u shpreh Bilbil Rakipi.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë:
Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla pezulloi nga detyra Drejtorin e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça dhe prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Artur Selmani, si edhe urdhëroi nisjen e hetimit ndaj tyre, për shkak të qëndrimit të dyshimtë që është mbajtur në Gjykatën e Lartë, ku po shqyrtohet rekursi për një ngjarje të rëndë në Vlorë, ndodhur në vitin 2015, ku kanë mbetur të vdekur 3 persona pas një konflikti të armatosur.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe më tej, Prokuroria e Apelit Vlorë, kanë gjetur mbështetjen e gjykatave respektive, të cilat kanë vendosur dënime maksimale për 3 personat e akuzuar. Një prej të pandehurve është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa dy prej të pandehurve janë dënuar me 35 vjet burg nga Gjykata e Apelit Vlorë.
Të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre kanë dorëzuar rekurs në Gjykatën e Lartë, në të cilën kishin paraqitur pretendimet e tyre lidhur me akuzat dhe dënimet. Gjatë shqyrtimit të rekursit në Gjykatën e Lartë, prokurori i çështjes, Artur Selmani, jo vetëm që nuk ka mbështetur qëndrimet e mëparshme të Prokurorisë, por ai ka kërkuar pushimin e akuzave shumë të rënda, për të cilët të pandehurit ishin dënuar maksimalisht në dy shkallët e gjyqësorit në Vlorë.
Për këtë qëndrim të dyshimtë, prokurori Selmani pretendon se e ka diskutuar me Drejtorin e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça. Prokurori i Përgjithshëm, i vënë në dijeni për situatën, pasi prokurori Selmani e kishte prezantuar qëndrim e tij në Gjykatën e Lartë, ka urdhëruar menjëherë pezullimin e tij dhe të drejtorit , Alma Muça, si edhe ka urdhëruar nisjen e hetimit për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve.” Dhe “Shpërdorim detyre”, me qëllim për të zbuluar shkaqet e këtij qëndrimi. Gjithashtu, pjesë e penalizimit administrativ dhe hetimit penal janë edhe ndihmësit gjyqësorë, të cilët kanë përgatitur relacionin për prokurorin.
(XH.A/SHUPLAKA)