Bashkia e Tiranës ka vënë në punë linjën e re të transportit urban, që zgjatet nga ish-Stacioni i Trenit deri në Farkë, ndryshe nga më parë kur kjo linjë përfundonte në Sauk. Shërbimi në linjën e re u inspektua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se zgjatimi i saj plotëson një kërkesë të hershme të banorëve të periferisë, por edhe të qytetarëve të tjerë që duan të vizitojnë këtë zonë.
Kjo ka qenë një linjë jashtëzakonisht e kërkuar sepse lidh një zonë të re të Tiranës, e zhvilluar rishtazi, me shumë banorë, që mbulon një pjesë të madhe të hapësirës universitare pranë Qytetit Studenti, me qendrën e qytetit. Kjo tani është dyfishuar duke vajtur deri te ish Stacioni i Trenit. Me një biletë të vetme, ata qytetarë që duhet të zbrisnin në qendër dhe të ndërronin autobus për të marrë një tjetër, për të shkuar në pjesën tjetër të Tiranës, sot e bëjnë vetëm me një biletë, me një abone të unifikuar, dhe fatmirësisht me 30% më shumë mjete në shërbim. Duke shtuar mjetet është shtuar edhe përdorimi dhe rezulton që të gjithë qytetarët janë të kënaqur nga sistemimi i kësaj linje.”, mësohet të ketë thënë ndër të tjera Veliaj.
Ai bëri me dije se Bashkia e Tiranës do të propozojë zgjidhje konkrete për rregulimin e linjave të zonave rurale. Sipas tij, qytetarët do të marrin të njëjtin shërbim me të njëjtin cilësi, pavarësisht nëse jetojnë në qytet apo në periferi. (XH.A/SHUPLAKA)