Është komentuar përplasja e mbrëmshme live në emision mes moderatorit të “Opinion”, Blendi Fevziu dhe kryetarit të Partisë Demokratike. Në një intervistë për “Panorama”, ai ka shpjeguar folur konkretisht rreth debatit.
Në fund të intervistës, kreu i demokratëve i kërkoi një qytetari të tregonte historinë e tij, gjë që nuk u lejua nga Fevziu, i cili pasi i kërkoi Bashës të mos ia jepte mikrofonin, e mbylli emisionin. I pyetur për arsyen përse nuk e lejoi, ai shprehet se nuk është penduar për veprimin e tij, pasi i duhet t’i qëndronte besnik formatit.
“Unë isha duke zhvilluar një intervistë me Kreun e PD, sipas një formati të përcaktuar prej 20 vitesh në Opinion. Formati është strikt dhe nuk ndryshon. Qytetari mund të kishte një histori interesante, por duhet ta rrëfente atë në vendin që duhej, mbase edhe në Opinion, por një ditë tjetër. Ai nuk mund të ndërhynte në formatin e intervistës dhe në asnjë rast nuk do ta lejoja këtë. Do ishte shpërdorim dhe shkelje e një marrëveshje të vendosur më parë. Ne kishim intervistë dhe jo miting.”, është shprehur ai.
Pavarësisht incidentit, përplasjes së komentuar, Blendi Fevziu shprehet se nuk pendohet që intervistën zgjodhi ta bënte në çadrën e protestuesve, duke shpjeguar se prej vitit 2005 ka ndërtuar emisione të tilla në fushata elektorale.
I pyetur nëse edhe Rama do të ishte pjesë e këtij lloj formati, ai ka shpjeguar: “Nëse flisni për mbështetësit, ka qenë. Edhe ai në 2015 ka ardhur me mbështetës dhe ka qenë pak a shumë kjo situatë. Nëse flisni për një situatë me më shumë mbështetës do isha vërtet i kënaqur nëse ndodhte.” (XH.A/SHUPLAKA)