Pas vendosjes së banorëve të Zharrëzës përpara Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, atyre ka tentuar t’i bashkohet edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Por kjo nuk është pranuar nga grevistët, të cilët e kanë cilësuar opozitën bashkëpunëtore të Bankers Petroleum, pasi sipas tyre kontarta është firmosur në kohën që qeveriste PD.
Përballë këtij qëndrimi, kryetari i Partisë Demokratike është shprehur për “dritare.net” se ka qenë në dijeni të çdo veprimi të tyre. Ai ka shpjeguar përse u kërkoi falje banorëve.
“Kam qenë gjatë gjithë kohës në kontakt. Më kanë mbajtur në dijeni, pasi vetë ata më morën në telefon. Kontrata me Bankers nuk është nënshkruar në kohën që qeveriste PD-ja por në kohën e qeverisjes së Nanos. Unë u kërkova falje banorëve që nuk arritëm të mbronim shtëpite dhe jetët e tyre. U premtova që do të marrim masa për t’i mbrojtur. Do t’i mbështesim në kauzën e tyre”, ka bërë me dije ai. (XH.A/SHUPLAKA)