Në Prokurorinë e Shkodrës janë thirrur 8 protestuesit të cilët kërkojnë dëmshpërblimet e përmbytjeve të viteve 2010-2011. Ata u thirrën në Prokurori për t’u marrë në pyetje për grevën e urisë e cila zgjati për 17 orë. Banorët e cilësojnë një padrejtësi të gjithë këtë që po ndodh.
“Është çështje veç politike, se nuk jemi as hajdutë, as kriminelë, nuk kemi vjedhur gjë. Na thirrën në Prokurori për një të drejtë që e kemi kërkuar vetë, për një të drejtë tonën që na takon. Edhe thirrjen na e kanë bërë sikur të ishim kriminelë. Mbas 26 vitesh demokraci në këtë vend, unë këtë thirrje e quaj vetëm politike. Na akuzojnë për provokim qeverie. Kjo është qeveri speciale. Na kanë thirrur për grevën e urisë që zhvilluam para një muaji”, tha njëri prej tyre.
Protestuesit paralajmërojnë se do të protestojnë përpara kryeministrisë dhe ministrisë së energjetikës nëse nuk dëmshpërblehen.
“Ne jemi disa nga personat që protestuam për të kërkuar të drejtat tona. ne kemi njoftuar Prefektin e Shkodrës për të bërë një grevë urie, edhe Policinë e Shtetit, dhe për këtë kemi edhe dokumentet që e faktojnë. Por Prefekti nuk mori asnjë masë për ne, as për vendosjen e çadrës. Ne bëmë një grevë për 17 orë, dhe sot shteti shqiptar nga ka çuar një thirrje për t’u paraqitur në Prokurorinë e Shkodrës. I drejtohemi shtetit shqiptar, nëse ne nuk kemi të drejtë të kërkojmë të drejtat tona, siç është për rastin tonë për përmbytjet e vitit 2010-2011, atëherë vaj medet populli shqiptar, në çfarë gjendje ka shkuar. Ne jemi të vendosur, dhe nga ana e shoqatës sonë të përmbytjeve të zonës së Nën Shkodrës ditën e enjte do të ndërmarrim një masë tonën, dhe do të hyjmë në grevë para Kryeministrisë, ose para Ministrisë së Energjisë”, thotë një prej ish-grevistëve, shkruan një portal online. (J.V/Shuplaka)