Kambanat e alarmit kanë filluar të bien për Kombëtaren shqiptare të futbollit, kur mbeten edhe tri javë nga nisja zyrtare e grumbullimit për ndeshjen kundër Italisë. Nëse nga njëra anë golat e Sadikut ngrohin dhe entuziazmojnë tifozërinë shqiptare dhe trajnerin De Biazi, nga ana tjetër ka filluar të rritet shqetësimi për një repart i cili do të vihet në provë seriozisht në Palermo më 24 mars – mbrojtjen, protagonistët e të cilës kanë përjetuar një nga fundjavat më të tmerrshme të tyre.
Gjithçka filloi me masakrën e Hamburgut përballë Bajern Mynihut. Shtylla e mbrojtjes kuqezi, Mërgim Mavraj, dhuroi një nga paraqitjet më të dobëta të karrierës së tij, aq sa e përditshmja gjermane “Kicker” i rezervoi notën 6. Normalisht, notat që jepen për futbollistët nga kjo e përditshme fillojnë me 1 dhe mbarojnë me 5, ndaj vlerësimi për Mavrajn tregon qartësisht ditën e errët që ka kaluar ai.
Pak orë më vonë, të shtunën në fushë zbriti një tjetër futbollist i paprekshëm i prapavijës kuqezi, Elseid Hysaj, i cili ashtu si Mavraj, pritet të jetë titullar ndaj Italisë. Prova e tij me Napolin përballë Atalantës ishte gjithashtu për t’u harruar, pasi i vënë në vështirësi nga kundërshtarët që kishte përballë, detyroi trajnerin Sarri ta zëvendësonte në minutën e 79-të. Vlerësimi me notën 4 apo 4.5 nga mediat italiane nuk ka nevojë për shumë koment, ashtu si edhe vërshëllimat me të cilat tifozët e përcollën nga fusha e lojës.
Të hënën në darkë, në fushë zbriti edhe Arlind Ajeti, në atë që duhej të ishte ndeshja e konfirmimit të tij, Fiorentina – Torino. Mbrojtësi i planifikuar për të zënë vendin e Gjimshitit të pezulluar përkrah Mavrajt praktikisht gaboi gjithçka në 45 minuta duke u zëvendësuar në pushimin e ndeshjes. Nota 4 edhe për të nga mediat italiane, si dhe një bindje absolute që do të jetë shumë e vështirë ta shohim përsëri me fanellën e Torinos.
Ndërkohë, Ansi Agolli, titullari tjetër i mbrojtjes, duhet të kënaqet me faktin se nuk ka faj personal në humbjen e radhës së Karabagut në kampionat sot, edhe pse disfata e dytë radhazi në shtatë ditë e zbret ekipin e tij në vendin e dytë në klasifikim.
Sigurisht, në radhët e kombëtares shqiptare ka edhe futbollistë të tjerë të prapavijës. Por Naser Aliji ka luajtur ndeshjen e tij të fundit me Kaizerslauternin më 17 shkurt, i aktivizuar në të 91-n për plot 3 minuta, ndërsa Frederik Veseli është kthyer në lojtar rezervë te Empoli pas disa paraqitjeve jo edhe aq bindëse.
De Biazi po monitoron prej kohësh lojtarë të tjerë për këtë repart, por edhe ata u bënë pjesë e fundjavës horror. Ivan Balliu ishte një nga protagonistët negativë të humbjes 5-0 të Metz përballë Olimpik Lionit, ku realizoi edhe një autogol qesharak, përveçse humbi çdo duel me Memfis Depain. Nota 2 (nga 10) që iu vu nga mediat franceze shpjegon gjithçka.
Ndërsa Kastriot Dermaku, u ndëshkua me karton të kuq që në minutën e 19-të të ndeshjes që skuadra e Lukezes po kryesonte 1-0 ndaj Lupa Romës. Takimi përfundoi 3-1 për këta të fundit dhe sigurisht që të gjithë drejtuan gishtin nga Dermaku duke e cilësuar si një nga shkaktarët e humbjes.
Duke llogaritur se portieri më në formë i Serisë A aktualisht, Etrit Berisha, do ta ndjekë nga televizori sfidën e Palermos për shkak pezullimi, De Biazi duhet të shpresojë që brenda tri javëve paraqitjet e protagonistëve të prapavijës të ndryshojnë. Në të kundërt e presin telashe të mëdha.