E fiton Juventusi raundin e parë gjysmëfinal për Kupën e Italisë përballë Napolit. Bardhezinjtë triumfuan 3-1 në shtëpi duke hedhur një hap të madh drejt finales së majit.
Në “Juventus Stadium” skuadra e Masimiliano Alegrit e pa veten poshtë në minutën e 36-të, kur Hoze Kajehon mposhti Neton duke përmbyllur një aksioni të bukur.
Përgjigja e të zotëve të shtëpisë erdhi menjëherë pas pushimit (47’), me Paulo Dibalën që barazoi shifrat me një penallti të dyshimtë të fituar po vetë.
Në të 64-n “ish”-i Gonzalo Higuain ndëshkoi napolitanët duke i dhënë epërsinë “Zonjës së Vjetër”, ndërsa pesë minuta më pas sërish Dibala vulosi rezultatin me një tjetër penallti.
Përveç kundërshtisë për penalltinë e Dibalas, Napoli protestoi edhe për një të tillë të padhënë ndaj Albiolit.
Finalisti tjetër do të dalë nga derbi i nesërm mes Lacios dhe Romës, ndërsa duelet e kthimit janë programuar të luhen më 5 prill, ora 17:00.