Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi reagon pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama mbi rikonstruksionin e “Kafes së Madhe”.
Sipas Ademit, Rama është i keqinformuar, pasi ndoshta fondet i kanë shkuar bashkisë së Kavajës në vend të asaj të Shkodrës. Ajo shton se deri më tani Bashkia ka marrë vetëm një njoftim nga Ministria e Kulturës, ku thuhet së është miratuar kërkesa për azhornimin e projektit “Kafja e Madhe Shkodër”, por për leje nuk është aplikuar akoma.
“Dikush t’i thojë Edi Ramës se e kanë informuar gabim!
Dikush ta pyesë mos fondet për “Kafen e Madhe” i kanë shkuar Bashkisë së Kavajës?
Për të qenë transparent dhe të vërtetë me publikun, bëj me dije se në lidhje me projektin për “Kafen e Madhe” Bashkia Shkodër ka marrë vetëm një njoftim nga Ministria e Kulturës për miratimin e kërkesës mbi azhornimin e projektit “Kafja e Madhe Shkodër”. Gjithnjë për të qenë transparent publikoj të vetmin komunikim që kemi pasur nga Ministria e Kulturës.
Hapi i radhës është që subjekti të aplikojë për leje. Në Bashkinë Shkodër nuk ka mbërritur asnjë aplikim për leje.
Bashkia Shkodër dhe të gjithë qytetarët e Shkodrës mirëpresin çdo investim për “Kafen e Madhe”, që në Shkodër është një simbol. Bashkia Shkodër është e gatshme të japë lejen për këtë investim.
Rama po na thotë që Bashkia nuk jep leje, ndërkohë që ai nuk ka aplikuar për leje! Mirëse të vini për të marrë lejen!”, reagon kryebashkiakja.
Pas vizitës së sotme në Shkodër ku u prit me protesta, kryeministri Edi Rama deklaroi në Twitter se Voltana Ademi nuk jepte leje për restaurimin e “Kafes së Madhe” në Shkodër. (D.D/Shuplaka)