Reali i Madridit hedh një gjysmë hapi të gabuar në luftën për titullin kampion në Spanjë. Kryeqytetasit nuk shkuan dot përtej barazimit 3-3 në shtëpi kundër Las Palmasit në javën e 25-të të La Ligës.
Edhe pse gjeti avantazhin që në minutën e tetë me një gol të Iskos në pozicion të dyshimtë, gëzimi i ekipit të Zidanit zgjati vetëm dy minuta, pasi mesfushori Tana riktheu baraspeshën.
Ndeshja për “Galaktikët” mori të tatëpjetën dy minuta pas pushimit, kur Garet Bejl u ndëshkua me dy kartonë të verdhë në pak sekonda, fillimisht për një faull e më pas pasi shtyu një kundërshtar në mënyrë antisportive.
Miqtë nga Ishujt Kanarie e shfrytëzuan në maksimum epërsinë numerike duke shënuar dy herë. Xhonatan Viera u tregua i saktë nga pika e penalltisë pasi Serxho Ramos preku topin me dorë në zonë në të 56-n, ndërsa katër minuta më pas Kevin-Princ Boateng thelloi epërsinë e të tijve.
Me situatën aspak premtuese, fatet e Realit i mori në dorë Kristiano Ronaldo. Portugezi fillimisht ngushtoi disavantazhin me një penallti në të 86-n, ndërsa në minutën e fundit të kohës së rregullt vulosi barazimin përfundimtar me kokë.
Me barazimin e sotëm skuadra kryeqytetase humbet kryesimin, që tani i takon Barcelonës. Katalanasit kanë 57 pikë, një më shumë se Reali që gjithsesi ngushëllohet me faktin që ka për të luajtur ndeshjen e prapambetur ndaj Deportivo La Korunjës.