Gazetari Telnis Skuqi ka replikuar me ministrin Tahiri për deklaratën e tij se niveli i kriticizmit ndaj hashashit nga gazetarët është shtuar vetëm këto katër vjet. Ai ka thënë se ai është një nga ata që nuk ka heshtur për këtë fenomen dhe se ai ka denoncuar edhe në mediat ndërkombëtare këtë fenomen për vite me radhë.
“Ministri i Punëve të Brendshme, Samir Tahiri, ka deklaruar sot se gazetarët që sot denoncojnë kultivimin e hashashit, përpara 2013 kanë heshtur. Nuk e di kush e ka keqinformuar Samir Tahirin në ikje, por realiteti flet krejt ndryshe. Unë jam njeri prej tyre, që prej më shumë se 10 vitesh, kam shkruajtur kundër kultivimit të hashashit në Lazarat, madje kam realizuar reportazhe me mediat ndërkombëtare” shkruan Skuqi.
Skuqi po ashtu ka thënë se ai që ka heshtur më shumë për kanabisin është vetë kryeministri Rama.
“Në fakt, ai që ka heshtur më shumë është kryeministri i sotëm Edi Rama, i cili jo vetëm nuk ka folur asnjë fjalë për hashashizimin e Lazaratit, përkundrazi ai shkoj në Lazarat për të çelur fushatën elektorale në qarkun e Gjirokastrës. “Ruaj respektin më të madh për këtë fshat, për këtë zonë, për të gjithë ju që jeni këtu, për të gjithë ata që nuk janë këtu. Sepse unë besoj që ky vend nuk mund të bëhet vendi ku ne duam të jetojmë dhe të rriten fëmijët tanë, duke e parë njëri-tjetrin me mllef, me përçmim”, është shprehur zoti Rama. Gjatë takimit 2-orësh në Lazarat, Rama vetëm heshti dhe nuk ka asnjë fjalë, ndërkohë gazetarët investigativ, jo vetëm nuk heshtën, po u kërcënuan nga grupet kriminale që kishin ndërtuar familjarët e miqve të tu, njëri prej tyre sot është në burg për vrasjen e katër jetëve të pafajshme” shkruan Skuqi. (M.D/ Shuplaka)