Një studente shqiptare ka arritur të futë në kurth një biznesmen duke u prezantuar atij si përfaqësuese e një kompanie me emrin Joana, e interesuar për bashkëpunim. Por bashkëpunimi mes tyre ka shkuar në një tjetër stad, saqë dyshja kanë kryer marrëdhënie seksuale.
Historia nuk mbaron këtu, pasi “Joana” ka filmuar gjithçka dhe më pas e ka kërcënuar biznesmenin se pamjet do i publikonte ose do ia dërgonte gruas, kështu që në këmbim të “heshtjes” ai duhet t’i jepte një sasi të konsiderueshme parash. Pas mashtrimit, biznesmeni e ka dërguar çështjen në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
HISTORIA
Pas një takimi të parë, gjatë muajve të parë të vitit 2013 kur biznesmeni u takua me “Joanën”, është larguar nga Shqipëria për në vendin e tij dhe pasi është kthyer, në maj të vitit 2013, rreth mesditës, është telefonuar nga ajo.
“Joana” i ka kërkuar ndihmë në të holla për të përballuar jetesën, me pretendimin se kishte probleme me prindërit.
Me kërkesën e të dëmtuarit, bashkëbiseduesit kanë lënë takim në një lokal në afërsi të “Z…”. Takimi është realizuar në datën 03 qershor 2013, ku Joana ka shkuar me një tjetër vajzë që e ka prezantuar si motrën e saj.
Në vijim, e prezantuara si Joana V. i ka kërkuar të dëmtuarit shumën prej 2000 USD, dhe gjatë bisedës i ka lënë të kuptonte se, në këmbim të ndihmës, mund t’i jepte shërbime seksuale.
Sipas një të përditshmeje shqiptare, në datën 04 qershor 2013, shtetasja të cilën ai e njihte me emrin “Joana” i ka dërguar SMS të dëmtuarit, me anë të të cilit i ka kërkuar se ku e kur mund të takoheshin dhe ai i është përgjigjur se do të takoheshin rreth orës 14:00. Kallëzuesi, ashtu sikurse ishte dakordësuar më parë me ketë vajzë me emrin Joana, e ka marrë në telefon atë dhe i ka kërkuar që të takoheshin në afërsi të “Universitetit E…”.
Ai ka mbërritur atje nën drejtimin e mjetit të tij dhe së bashku kanë shkuar në hotel “X…”, në rrugën “Irfan Tomini”, në afërsi të pallatit me shigjeta. Ata janë ngjitur në dhomën nr. 206, ku edhe kanë kryer marrëdhënie seksuale.
Në datën 06.06.2013, me anën e një SMS-je, Joana i ka kërkuar të dëmtuarit C. shumën e 800 USD, si “ndihmë” për të paguar provimet, por ai ka refuzuar ta ndihmonte. Ndërsa, ditën e regjistrimit të këtij procedimi, rreth orës 12:01, të dëmtuarit C. i ka ardhur një e-mail në adresën e tij, nga adresa elektronike e Joanës.
Ai ka mbetur i shtangur kur e ka lexuar. Nga përmbajtja e këtij email-i, rezulton se të dëmtuarit i bëhej e ditur marrëdhënia e tij me vajzën Joana, përfshirë edhe regjistrimin në video të kohës së kryerjes së marrëdhënieve seksuale të tij me këtë vajzë. Në mënyrë kërcënuese, të dëmtuarit i kërkohej shuma prej 40 mijë dollarësh, në këmbim të mospublikimit të kopjes së CD-së.
Kërcënuesit përcaktonin edhe vendin e takimit për dorëzimin e shumës së parave, te lokali “L…”, duke i lënë ato në një kazan plehrash aty afër. Ndërkohë, në numrin e tij të telefonit, rreth orës 15:11, i është kërkuar se çfarë zgjedhjeje kishte bërë dhe nëse do të paguante shumën e kërkuar.
I dëmtuari fillimisht është përgjigjur se nuk kishte ndërmend t’i përgjigjej kërcënimit, por bashkëbiseduesi i ka kujtuar pasojat që mund të vinin, duke i kujtuar madje se kishte edhe një video të dytë dhe se për përmbajtjen e tyre mund të pyeste më pas bashkëshorten e tij. (D.D/Shuplaka)