Një fshat i tërë, pothuajse i mbuluar nga nafta dhe gazi, ia ka nxirë jetën banorëve të cilët prej vitesh jetojnë pa ujë por edhe pa mjek.
Bëhet fjalë për fshatin Visokë të Mallakastrës, ku nafta dhe gazi rrjedhin pa pushim nga puset e hapura dhe jashtë çdo kontrolli.
Banorët e Visokës, ankohen te emisioni investigativ “BOOM” se pavarësisht se ka një kompani private që merret me shfrytëzimin e puseve dhe kujdesin ndaj puseve që kanë dalë jashtë funksionit, prej 25 vjetësh situata është e nderë.
DENONCIMI:
Rreth 1200 banorë të fshatit jetojnë çdo ditë nën ajrin e ndotur, ndërsa problemet shëndetësore të tyre janë të vazhdueshme, veçanërisht sëmundjet e gjakut.
Përveç ndotjes masive të ajrit dhe tokës bujqësore, banorët nuk kanë ujë prej më se 25 vitesh.
Ata detyrohen të shkojnë më shumë se një orë larg për të marrë ujë të pijshëm, ndërsa uji i puseve nuk mund të përdoret as për të larë rrobat për shkak të ndotjes. Por, përveç gjithë këtyre problemeve, fshati nuk ka as mjek.
Banorëve ju duhet të udhëtojnë rreth 7 km për të shkuar tek mjeku më i afërt që është në Ballsh. Infermierja e vetme në fshat tregon edhe për sëmundjet më të shpeshta që prej njerëzit që jetojnë aty. Banorët rrëfejnë dramën e tyre të përditshme para kamerave të emisionit BOOM.
Flasin banorët:
Banorja: Uji është me argjile të zezë. E nxjerrim, mbushet gjysma e kovës me rërë. E kam bërë 5 milionë këtë pus dhe sot nuk kam ujë.
-Kemi një çezmë atje, por jemi gjithë këto shtëpia. Zëmë radhën atje. Me hajvanë.
Gazetarja: Uji i puseve është i pijshëm?
E moshuara: Nuk ia bën analizat njeri.
Gazetarja: Po për të larë rrobat?
E moshuara: E mbajmë me krah.
Banori: S’kemi ujë fare.
Gazetarja: Si ia bëni?
Banori: Me hajvan. Rreth 1 km larg. Shkojmë ditë për ditë.
Banori 2: Ujë s’kemi pasur ne gjithë kohën. E marrim me bidona ku të gjejmë. Andej në kufi me Greqinë. Ai është i pijshëm.
Gazetarja: Sa larg është nga këtu?
Banori 2: Në këmbë është rreth 1 orë e një çerek.
Gazetarja: Si e merrni?
Banori 2: Me kafshë dhe në krah se atje nuk ka rrugë për makinë.
Gazetarja: Këtë rrugë e bëni përditë për të marrë ujë?
Banori 2: Për të pirë ujë dhe për të gatuar e marrim atje. Kurse për të larë e marrim në këtë çezmën.
Gazetarja: Uji që del nga puset si është?
Banori 2: Dihet, zona jonë është e ndotur. Me ujë, me naftë, me acidra.
Gazetarja: Ju jeni banor i Visokës. A mund të na thoni çfarë ndodh këtu?
Banori: Në fshatin tonë ka rrjedhje të naftës dhe ambienti është shumë i rëndë. Gaz, squfur. Ullinjtë siç e shikoni janë dëmtuar. Puset e ujit vijnë era naftë.
Gazetarja: Çfarë është ky tubi?
Banori: Ky është një tubacion që ka rreth 50 vjet që në kohën e Enverit. Sa rregullohet një ditë, plas ditën tjetër.
Gazetarja: Kush ka përgjegjësi për ta rregulluar?
Banori: Firma private.
Gazetarja: I keni thënë firmës ta rregullojë?
Banori: Një mijë herë. Fshatari i shkretë e bllokon, e merr policia dhe e çon brenda. Ata punojnë, mbarojnë punë dhe ikin. Nuk jetohet më. Të shkretë.
Gazetarja: Kjo është toka juaj bujqësore?
Fermeri: Po!
Gazetarja: Çfarë e keni mbjellë?
Fermeri: Tërshërë!
Gazetarja: Çfarë është ajo njolla e zezë?
Fermeri: Prodhim i Albpetrolit. Firma private. Janë tubacionet që duhet të jenë nën 60 cm në tokë. Tubat janë dëmtuar. Gjithë prodhimi helmohet. Kam pasur puse me ujë. As uji i pijshëm, as toka nuk bëhet më.
Gazetarja: Sa kohë ka që toka është me naftë?
Fermeri: Po bëhen 26 vjet.
Banori: Shqetësimi jonë është gazi. Jemi të gjithë azmatik. Këta kanë krijuar disa puse, rezerva dhe lart këto i kanë lënë haptë. Nuk e marrin gazin ta djegin. Një të fryrë era, gjithë lagjja, gjithë fshati është me gaz. Të ndotur sa s’ka më.
Fermerja: Ja si është toka….Kjo shkrin dhe hapet nëpër ullinj.
Specialisti i Naftës: Ka 220 puse të fondit ndalur, ka 300 puse në shfrytëzim
Specialisti i Naftës Fatmir Sinovari sqaron se janë 220 pjesë e fondit të ndaluar që zënë një hapësirë të madhe toke.
Sinovari: Mbi 40 burra kanë vdekur pa kaluar të 60-at. Kemi 220 puse të fondit ndalur, që ka secili pus nga 3 dynym. Se kush i zotëron këto puse ne nuk dimë gjë. Në bazë të ligjit, secili grup duhet të ketë fakulin për shkarkimin e gazit. Ky gaz del në atmosferë.
Gazetarja: Kush i shfrytëzon këto puse?
Sinovari: Këto puse i shfrytëzon një privat. Se kush është ky ne nuk e dimë. Ne ke të drejtë ta lësh gazin në atmosferë. Është helm. Ku vete kjo naftë? Kush e shfrytëzon? Sikur ka rënë bomba. Të vërë dorë shteti. Ka 220 puse të fondit ndalur, ka 300 puse në shfrytëzim. Ullinjtë janë tharë nga gazi.
Infermierja: Sëmundjet e gjakut po prekin edhe moshat e vogla
Infermierja e fshatit thotë se sëmundjet e gjakut janë më të përhapurat dhe tani po prekin edhe moshat e vogla. Ajo rrëfen peripecitë e përditshme, kur përveç problemeve të tjera, ajo thotë se nuk ka as ujë për të larë duart.
Gazetarja: Kjo qendër shëndetësore a ka mjekë?
Infermierja: Kjo qendër shëndetësore mjekë aktual këtu në konsultore, në ambulancë nuk ka. Mjeku është po është me qendër në Ballsh.
Gazetarja: Po si ia bëni?
Infermierja: Atje drejtohet popullata.
Gazetarja: Një banore e Visokës që duhet të shkojë deri në Mallakastër për tu vizituar, sa rrugë duhet të bëjë?
Infermierja: Një banori i duhet të bëjë rreth 7km rrugë.
Gazetarja: Për tu vizituar te mjeku?
Infermierja: Nga destinacioni ku e lë fugoni, i duhen dhe 1-2km që të vejë tek mjeku i familjes sepse qendra shëndetësore e komunës, qendër që mbulohemi ne është tek Poliklinika e Ballshit.
Gazetarja: Pashë që Visoka ka problem me ujin, mungesë uji. Këtu në qendër shëndetësore çfarë ndodh?
Infermierja: Qendra shëndetësore është pa ujë. As ujë të pijshëm as ujë të rrjedhshëm.
Gazetarja: Prej sa vitesh?
Infermierja: Prej sa vitesh kam unë që punoj këtu. Tani kjo qendra është e re se tani është bërë, në vitet e demokracisë, lart cisterna është por ujë nuk ka. Mua më duhet vetë personalisht kur bëj një ineksion se një vaksinë duhet të shkoj te familjari të laj duart ose të shkoj në shtëpinë time të laj duart.
Është problem. Ose më vijnë fëmijët e vegjël që tremben, duan të vejnë në banjë, s’ka tualet. Dhe po vajti fëmija, unë jam e detyruar të marr një kovë ujë aty te komshia e t’ia hedh. Familjarët që janë rreth, probleme nga më të ndryshmet. Kërkesat janë të mëdha për mjekë, sidomos për mjekë u thonë të vijnë një herë në javë. Moshat e treta që e kanë provuar, gratë me fëmijë të vegjël.
Gazetarja: Është bërë ndonjë kërkesë që të vijnë mjekë të paktën një herë në javë këtu?
Infermierja: Kërkesa dihet se nuk bëhet vetëm nga unë, janë të gjithë fshatrat me infermierë të tillë sepse mjekët e qendrës sonë, të tre që janë punojnë në qendër të komunës, nuk shkon mjeku në fshat. Se edhe ata kanë problematikat e tyre, jo kartelat, jo mbulesa e atyre që janë me sevesionime.
Gazetarja: Në momentin që këtu nuk ka ujë dhe vjen një njeri për të bërë një infeksion. Si veproni ju? Çfarë bëni?
Infermierja: Unë thjesht bëj dezinfektim me alkool të duarve të mia dhe kaq. Ikën ai, do kujdesem për veten time pastaj, të dal të laj duart këtu te familjet që janë afër. S’ke ku vete. Shumë problem uji.
Gazetarja: Cilat janë sëmundjet nga të cilat vuajnë këto banorët e zonës?
Infermierja: Sëmundja e gjakut sepse këtu është një ambient i ndotur shumë nga gazi. Ka shumë që vuajnë nga filloni në gjak. Madje tani po prek edhe moshat e vogla, tek fëmijët.
Gazetarja: Çfarë moshe?
Infermierja: Ka 14-15 vjeç, moshat e mëdha, këta që punojnë, punonjësit që kanë punuar në uzinë ose që punojnë këtu janë pothuajse të gjithë të prekur nga kjo lloj sëmundje se është përqindja shumë e lartë e gazit.
Kapllanaj për BOOM: Beteja me kompanitë që shfrytëzojnë naftën e humbur
Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj thotë se ka një projekt që prej vitit 2013, por nuk ka financim. Vlera e projektit është rreth 100 milionë lekë, ndërsa shton se beteja kundër kompanive që shfrytëzojnë naftën është një betejë e humbur.
INTERVISTA:
Kapllanaj: Që nga 2013 që projekti është gati, por nuk gjejmë financim dhe fatkeqësisht ne me këto të ardhura që kemi në bashki, e kemi të pamundur ta financojmë.
Gazetarja: Sa është vlera e këtij projekti?
Kapllanaj: Vlera e këtij projekti shkon diku te afërsisht te 100 milionë lekë të reja.
Gazetarja: Problem që ne konstatuam aty ishte edhe ndotja e tokës nga kompanitë që shfrytëzojnë naftën. Jeni në dijeni të kësaj problematike?
Kapllanaj: Absolutisht që jemi në dijeni dhe beteja jonë si njësi vendore ka qenë dhe vazhdon të jetë, por që një betejë që për hir të vërtetës, më vjen keq që e them por është një betejë e humbur që nuk e kemi fituar deri më sot. Këto kompani duhet të punojnë me standarte dhe të mos ndotin tokën e banorëve, apo dhe mjedisin, gjë e cila ndodh rëndomtë. Fatkeqësisht ata banorë janë gjithmonë nën efektin e ndotjes.
Gazetarja: Pse mund të themi se është betejë e humbur? Ku calon puna?
Kapllanaj: Është një betejë e humbur për shkak të mbështetjes që pushtetit vendor i jepet qoftë me ligj, qoftë edhe kur ligji ekziston qoftë me mekanizma të tjera që duhet të mbështetet ligjor, pasi shteti është gjithmonë mbi pushtetin vendor, pushtetin qendror dhe ne, edhe pse kërkojmë mbështetje, edhe pse bëjmë gjithë atë sakrifikicë dhe përpjekje, fatkeqësisht vazhdojnë të derdhen në ambient, të shkarkohen në ambient, të shkarkohen në Lumin Gjanica dhe nuk kemi një mbështetje nga pushteti qendror edhe kur ne konstatojmë dhe dërgojmë shkresa apo kërkojmë verifikimin në vend nga institucionet qendrore, vijnë bëjnë atë verifikimin në vend por nuk marrin asnjë masë dhe kjo na bën që të demoralizohemi. (D.D/Shuplaka)