Portieri shqiptar i Lacios, Thomas Strakosha, tashmë nuk dëshiron ta cilësojnë më si djali i Fotos, pasi ai po ndërton imazhin e tij në botën e futbollit. Në një intervistë të dhënë për emisionin “Zona Gol” në “Supersport”, 21-vjeçari foli edhe për kombëtaren teksa shprehu krenarinë që është pjesë e saj.
Për ndeshjen e fituar të Lacios ndaj Bolonjës
“Jemi të kënaqur me rezultatet e ndeshjeve të fundit. Luajtëm më mirë se Bologna dhe e merituam fitoren. Nuk duhej ta pësoja atë gol me Milanin në fund dhe ishte një moment i dhimbshëm”.
Për hijen e të atit në karrierën e tij
“Jam krenar që kam mbiemrin Strakosha por tani jam Thomai dhe kam rastin të bëjë mirë vetë. Babi nuk donte të bëhesha portier dhe unë e ndiqja kur isha i vogël dhe më pëlqente shumë. Kam pasur idhull gjithmonë babin për personalitetin dhe zemrën që tregonte në fushë. Buffon dhe Neuer janë më të mirët në botë”.
Për kombëtaren
“Unë do të stërvitem fort të jem gati për Kombëtaren dhe e di trajneri kush do të luajë. Jam krenar që jam pjesë e Kombëtares, luaj apo nuk luaj. Kemi folur shpesh me Berishën dhe ai më ka uruar. Etriti është shumë portier i mirë dhe e meriton momentin pozitiv që po kalon”