Në fakt seanca e mbrëmshme nuk pritej të shoqërohej me surpriza. Maxhoranca nuk mund të miratonte e vetme pa opozitën komisionet për Vettingun. Kuvendi miratoi kthimin e dosjeve të kandidatëve për komisionet e vettingut tek Avokati i Popullit për rishqyrtim.
Ngritja e organeve të Vetting-ut rezultoi të ishte një proces më i komplikuar sesa pritej. Parlamenti nuk e respektoi dot afatin 3 ditor të nisjes së punës për verifikimin e kandidatëve. Mospjesëmarrja e opozitës mbetet një shkak, por në këtë rast nuk ishte ai kryesori, për të cilin maxhoranca vendosi të kthejë një pjesë të dosjeve tek Avokati i Popullit. Ata janë 79 kandidatet që operacioni ndërkombëtar i monitorimit vlerësoi se plotësojnë kushtet formale, por u mungon dokumentacioni për të provuar çdo kriter që kërkon ligji.
“Formalisht nuk plotësohen kriteret për mungesë dokumentacioni. Si një dokument i pa noterizuar, për një dëshmi të gjuhës së huaj, etj. Kështu që komisioni që kishim në rendin e ditës sot do të kishte 21 kandidatë për 28 vende. Presidenti i republikës nuk e ushtroi kompetencën që kishte, sigurisht ia kaloi Avokatit të Popullit”, u shpreh Ruçi.
Parlamenti vendosi t’u japë një javë kohë për të plotësuar dokumentacionin. Një javë kjo që do të shfrytëzohet edhe si një thirrje për aplikime te reja.
Qe të arrihej në këtë vendimmarrje, krerët e maxhorancës, Rama dhe Meta u takuan dy herë të hënën. Maxhoranca ishte unanime në votim, ku ranë në sy votat kundër të Ben Blushit dhe Mimoza Hafizit, sipas të cilëve kthimi i procesit tek Avokati i Popullit është i paligjshëm. (E.K/SHUPLAKA)