Nëse ju ndodh të imagjinoni një femër që bredh me mikrofon rrugëve (të shoqëruar nga një kameraman), sa herë dëgjoni termin ‘gazetare’, ky nuk është rasti. Përtej imazhit klasik, disa gazetare kanë ditur të tejkalojnë mjedisin e zakonshëm mediatik, duke krijuar ‘gjënë e tyre’.
Këtë 8 Mars, Hashtag.al, sjell tre intervista me tre gazetare të cilat kanë guxuar me sakrifica dhe ambicie të ideojnë dhe të realizojnë sipërmarrje private, tepër interesante.
Blerina Gjoka, një gazetare e vjetër e politikës, përveç punës së përditshme në gazetari dhe PR, sot drejton portalin bebja.com, një burim i çmuar informacioni për nënat e reja dhe gratë shtatzëna.
Albana Muçaj, gazetare ekonomie, sot drejton një biznes social të quajtur ‘Qendra Kallz’, ku fëmijëve të kryeqytetit iu ofrohet një shërbim i pazakontë me aktivitete që vënë trurin në lëvizje deri tek leksionet mbi bujqësinë.
Silvi Bakiri, ka guxuar të ndërtojë një portal professional të specializuar për femrat. I pari portal në llojin e vetë, me informacione dhe shkrime të kuruara, larg modeleve shabllone mbi ‘feminizmin’.
Në vijim mund të lexoni 3 intervistat me koleget mbi aktivitetin e tyre ‘të pazakontë’:
BLERINA GJOKA – Bebja.com
Çfarë është bebja.com?
Bebja.com Është një website, media online, që i kushtohet shëndetit të nënave dhe fëmijëve me informacione nga shtatzënia deri te mosha shkollore për fëmijët, edukimi, psikologjia e fëmijëve, etj. Kryesisht materialet janë të përkthyera nga media të huaja prestigjoze, por ka dhe intervista ose lajme nga Shqipëria.
bebja.com ka bashkëpunime me psikologë profesionistë dhe me mjekë gjinekologë që u kthejnë përgjigje nënave.
Si të lindi ideja për të ndërtuar këtë faqe?
Prindërimi është puna më e rëndësishme dhe më e vështirë që ne bëjmë pa një shkollim të posaçëm.Kur isha shtatzënë me djalin kërkoja informacion për shtazëninë, për atë që po ndodhte me mua, zhvillimin e fëmijës, si do ta rrisja, si do ta edukoja dhe informacionin e gjeja përgjithësisht në gjuhë të huaja, italisht ose anglisht. Që në atë moment më lindi ideja që të krijoja një media për nënat dhe kandidatet për nëna, për baballarët, që të kishin një vend ku të përplaseshin kur kërkonin informacion. Por kaluan disa vite derisa idenë time e ktheu në realitet, dizenjoi dhe e ndërtoi portalin, një miku im. Pra është një gjë e ndërtuar me dëshirën për t’u ardhur në ndihmë nënave shqiptare dhe funksionon që prej 1 Qershorit 2014. Shpresoj të kem arritur sadopak që të jem një dritare ku prindërit gjejnë info për sëmundjet, për zhvillimin e fëmijëve, etj. Nga mesazhet e shumta që marr dhe komentet që bëhen tek artikujt besoj se ka arritur qëllimin e vet deri diku, por mbetet akoma punë që të bëhet më i përhapur dhe një burim informacioni për të gjithë prindërit shqiptarë.
Sa kohë të merr portali nga dita jote?
bebja.com është ndërtuar si punë vullnetare dhe vazhdon të jetë e tillë dhe si e tillë është një punë që bëhet part-time nga koha e lire, përveç punës. Kam pasur shpesh bashkëpunime me mikesha të miat gazetare që kanë kontribuar, por akoma nuk kam arritur të ngre një redaksi të mirëfilltë, të arrij që t’i paguaj bashkëpunëtorët, qoftë dhe mjekët apo psikologët që shkruajnë aty. Ndoshta në të ardhmen gjërat do të ndryshojnë, nëse do të kemi ndonjë financim të sigurtë.
Do hiqje dore nga gazetaria dhe PR nëse do gjeje mundësinë t’i kushtoheshe me kohë të plotë faqes?
Këtë pyetje ia bëj shpesh vetes…po të arrija të gjeja financim për ta kthyer në një revistë mujore dhe të realizoja nëpërmjet bebja.com edhe fushata sensibilizuese për probleme shumë të prekshme të prindërimit në Shqipëri si; një shkollë mamash apo një shkollë prindërimi; fushata kundër dhunës në edkuimin e fëmijëve; për gjidhënien, për kujdesin gjatë shtatzënisë dhe pas saj për gratë shqiptare…po, mendoj se do hiqja dorë.
E lodh një femër gazetaria?
Po, aq sa do të lodhte një burrë! Jo. mua personalisht nuk më lodh, përkundrazi, e them shpesh se është e vetmja gjë që di të bëj, shpresoj se e bëj mirë, dhe është puna që kam dashur të bëj që kur isha 15 vjeçe. Kur njeriu bën punën të cilën do nuk besoj se lodhet kurrë.
Pse duhet ta lexoj një burrë bebja.com?
Ju ndoshta nuk e besoni por kam shumë lexues meshkuj, shumë baballarë që shkrujnë në inbox-in e bebja.com dhe kërkojnë informacione për fëmijët, për probleme që mund të kenë me shëndetin, etj. Burrat kanë gjysmën e tyre të përgjegjësisë në rritjen e fëmijëve dhe kjo i bën të jenë të përgjegjshëm dhe kërkues për informacion. Ne shpesh kemi mbështetur fushata që nxisin burrat të përfshihen në rritjen e fëmijëve dhe në kujdesin ndaj partnerëve të tyre kur janë shtatzëna. Besoj se babai nuk bën dadon, bën prindin kur kujdeset për fëmijën e tij.
Çfarë do doje të thoje në mbyllje të kësaj interviste?
Ju falenderoj shumë që më dhatë hapësirë në median tuaj.
ALBANA MUÇAJ – ‘Qendra Kallz’
Çfarë është Kallz?
Kallz, është një qendër pas shkolle për fëmijë. Por kjo është vetëm baza. Përbërës shumë i rëndësishëm në këtë qendër është edhe pjesa e kurseve të ndryshme. Pikturë, kërcim, anglisht, basket, volej, etj. Kallz ofron shërbim për fëmijët 06-12 vjeç.
Si lindi ideja për emrin ‘Kallz’?
Po kërkonim një emër origjinal, ndoshta dhe pak të lashtë. U ndala me kënaqësi tek kalliri i grurit, ende i papjekur, që të jep shpresë për t’u kujdesur për të dhe për ta bërë një kalli të plotë e të shëndetshëm, siç duam të jenë edhe fëmijët tanë.
Pse investove për ngritjen e një biznesi social?
Erdhi natyrshëm. Si gazetare, kam qenë dhe jam shumë afër zhvillimit të biznezeve te ndryshëm, dhe pse jo prej disa vitesh jam shumë e ndjeshme ndaj bizneseve me impakt social. Bizneseve ndryshe, që nuk kërkojnë vetëm përfitim, por në të gjitha proceset e tij zhvilluese ka në fokus, klientin, produktin, shërbimin, atë frymën e dashurisë që ta bën më të lehtë punën.
Pra jo vetëm përfitim ekonomik, por edhe emocional.
Si arrin të menaxhosh kohën, duke punuar dhe si gazetare njëkohësisht?
Kur ka dashuri, pasion, (e me modesti më lejo të them edhe përvojë) është e mundur. Puna si gazetare ndoshta më nxiti ta bëja.
Për 5 vite rresht kam bërë të gjitha përpjekjet me djalin tim të madh ta çoj në një shkollë publike. Interesi për sistemim ishte marrja nga shkolla, ushqimi i shëndetshëm, mbështetja mësimore, kurse plotësuese pasdite, me punën që kam e kam të pamundur.
Por as dadoja, apo një mësuese, apo gjyshja nuk i mundëson të gjitha. Ndaj çdo ditë shkoja në punë me një lëmsh në grykë që s’po bëja gjënë e duhur për fëmijën tim. Asnjë shërbim që ofrohej në treg nuk më plotësonte kërkesat e mia për më tepër edhe miqtë e mi kishin po këtë problem, prandaj ‘Kallz’ u konceptua si një qendër multifunksionale, me shërbime të integruara dhe orare të zgjatura për nënat në karrierë. Sot më 8 mars, pothuajse të gjithë fëmijët që janë në qendër nënat e tyre punojnë, ndaj dhe qendra është po aq sa për fëmijët edhe për këto gra që mbarojnë punën në 6 apo 7 të pasdites vonë.
Nga ndryshon një fëmijë që shkon në Kallz pasdite me një fëmijë që shkon në shtëpi?
Së pari, prindi apo kushdo të jetë në shtëpi, nuk do t’i thotë pafundësisht, fike televizorin, mjaft me Play Station, ku e kam telefonin (se ia ka marrë fëmija). Fëmijët e qendrës janë larg teknologjisë dhe shoh që jetojnë më së miri pa to.
Së dyti, socializojnë. Shpesh zhvillojnë biseda me interes për ta, si duhet të përballojnë një situatë në shkollë, në rrugë, etj. me mbështetjen edhe të stafit.
Si arrin të mbulosh kostot e investimit të kësaj qendre?
Aktualisht biznesi është ende me humbje, dhe e mbështes me pagesën time. Por interesi është dhe besoj për pak muaj. Kallz do të piqet si qendër, aq sa për të na mundësuar ne nënave të vijojmë punën.
Në fillim në fakt, disa prindër më pyesnin me shumë interes:” Si duket, do të ecë? “
Sigurisht ishin dashamirës ndaj meje, por mbi të gjitha po interesoheshin për një qëndrueshmëri shërbimi ndaj tyre, ndaj fëmijëvë të tyre
Nga ndryshon Kallz nga një kënd lojërash?
Mes tyre unë shoh pak ose asgje të përbashkët me kënd lojrash. Kallz, është një qendër ku fëmijët zhvillojnë shumë aktivitete në grup, nën kujdesin e mësuesit apo trajnerit fëmijët tanë zhvillojnë konkurse pikture, kurse gatimi, eskursione të ndryshme pra kanë një jetë aktive.
Mësojnë dhe të mbjellin bimë fëmijët tek ju..apo jo?
Po. Kemi një sipërfaqe në hyrje të qendrës që vjet u mboll me domate, speca, kungull. borzilok, majdanoz, por nuk ishte vetëm mbjellja objektiv. Ata po ndiqnin me shumë interes rritjen, dhe shpesh bënin krahasime mes tyre, mbi mbarëvajtjen e bimës.
Mes gazetarisë dhe Kallz-it cila të jep më tepër kënaqësi?
Të dyja më japin. Kallz, më relakson më shumë; edhe kur jam e lodhur në fund të ditës, shikoj fëmijët që kërcejnë, apo luajnë bashkë atje.
Më pas pyes veten: “Isha e lodhur unë apo jo?”. Rigjenerohem…
SILVI BAKIRI – Gentlewomen.al
Si lindi Gentlewomen në mendjen tuaj? Si erdhi ideja?
Gentlewomen lindi për shkak të ndjeshmërisë time ndaj realitetit të gruas në Shqipëri. Dhe duke parë që media, sidomos ajo online po shkon në degjenerim në këtë pikë, duke e reduktuar gruan vetëm në pjesët e trupit, mendova të bëj diçka krejt ndryshe, që e nderon gruan, çdo grua. Ideja ka vite, ndërsa finalizimi gati një vit më parë.
Ka kuptim të ndërtosh një biznes për të luftuar një moral?
Ky është një konstrukt artificial, ashtu sikur shumë konstrukte artificiale në shoqëri thelbësisht të mbyllura dhe jo rrallë të siperfaqshme, si Tirana psh. Nuk do e quaja biznes, por kauzë. Natyrisht që ka kuptim të ngresh pastaj një biznes mbi një kauzë të drejtë, shumë më shumë sesa mbi një kauzë të manipuluar nga patriarkati.
Sa kohë shpenzon? Në faqen tënde ka përkthime profesionale të kuruara, ka shkrime, këto kërkojnë kohë. Shumë kohë. Më trego si organizohesh.
Unë punoj vetë. Por edhe me bashkëpunim nga jashtë, kryesisht vajza shkruese dhe poete që tregojnë histori. E gjitha është e bazuar mbi histori njerëzore dhe personale. Jam e angazhuar gjatë gjithë kohës. Ka shumë raste kur më shkruajnë edhe në orët e vona dhe jam në dispozicion t’i redaktoj saktë dhe t’i publikoj historitë.
Është faqja e parë dedikuar feminizmit apo jo? Flas për Shqipërinë…
Them se po, për aq sa di une.
Ta përkëdhel egon fakti që je e para që ke guxuar? Apo prevalon kauza dhe jo protagonizmi vetjak?
Më pëlqen që guxova për herë të parë në një ide të tillë, e pranoj. Por së pari, më përkëdhel feedback-u. Funksionoi! Njerëzit këtu duan të flasin, të shprehen, përtej kornizave dhe sigurisë që duket për së jashtmi. Ato kanë histori, kanë pse-të e tyre, duan të kuptohen parë nga një qasje më humaniste. GW e ka realizuar me sukses këtë dhe kjo më gëzon pafund.
Si shpjegohet që nga institucione ndërkombëtare janë akorduar miliona për shoqata feministe, ndërsa faqen e parë online e ndërton një femër qe ka studiuar menaxhim?
Sepse ato janë sipërmarrje me qëllime mikse që në fillim. Besoj kjo.
Të ka ardhur në majë të hundës ndonjëherë? D.m.th a ke menduar ndonjëherë: Po me kë merrem dhe unë?
Me kë, në ç’kuptim?
Në kuptimin e një tregu lexuesish që klikon Encen p.sh.?
Nuk kam dëshirë ta personalizoj kështu. Çdokush bën zgjedhjet e veta. Njerëzit kanë shpesh edhe synime kurioze, nuk duan të thellohen. Ka vend për të gjithë, pa paragjykime. Jo, nuk më ka ardhur në maje të hundës. Çkuptim do kishte. Punët e mira duan durim
Ndërtimi i një faqeje si nismë private, është dhe një formë refuzimi ndaj industrisë mediatike në terësi?
Nuk e kam pasur qëllim në vetvete këtë. Kjo, për arsye se edhe unë prej 5 vitesh tashmë, kam qenë pjesë e asaj industrie, që fundja më ka kalitur, për të bërë diçka edhe më të mirë. Nëse nxënësi nuk bëhet më i mirë se mësuesi, nuk do quheshim dot profesionistë. Më shumë kam marrë refuzim nga industria mediatike tradicionale se sa kam kërkuar vetë të refuzoj. Ndoshta, parë në një prizëm optimist, është refuzim instinktiv ndaj të resë.
Më përshkruaj, si do doje ta shikoje Gentlewomen në vitin 2020?
Të zgjeruar. Ndoshta edhe përtej kufijve. Për ta kthyer në një kauzë solide. Që afekton më shumë njerëz. Meqë është 8 Mars, uroj që këtë vit gratë të bëjnë më shumë për të ngjashmen. Anatemimi nuk i bën mirë feminizmit dhe humanizmit. Të bëhemi më të hapura, sepse vetëm kështu nderohemi më mirë se sa thjesht me sens protagonizmi absolut. /Hashtag.al