Situata politike në vendin tonë prej ditësh po vijon të jetë e tensionuar. Opozita vijon me protestën e saj për zgjedhje të lira e të ndershme duke kërkuar dhe qeveri teknike, ndërsa mazhoranca nuk lëviz nga e saja.
Kryetari i Kuvendit Meta thekson se palët politike duhet të dialogojnë për zhvillimin e zgjedhjeve, realizimin e reformës dhe ligjin e vettingut. Në një intervistë për ‘’Ora News’’ ai shprehet se opozita duhet të japë kontributin e saj në këtë dialog, i cili duhet të qëndrojë larg ultimatumeve.
‘’Çështja e zgjedhjeve dhe çështja e vazhdimit të reformës dhe zbatimit të ligjit të vetingut, duhet një dialog më pro aktiv dhe bashkëpunues. Ka ardhur koha që Shqipëria ta pastrojë njëherë e mirë temën e zgjedhjeve me probleme.
Kjo kërkon një dialog politik proaktiv, larg ultimatumeve. Cënimi i zgjedhjeve aq me keq dështimi i tyre do të ishtë një pengesë dramatike për të ardhmen e stabilitetit të vendit, sepse për integrimin europian nuk bëhet më fjalë’’, deklaroi Meta. (E.K/SHUPLAKA)
.