Henri Çili ka zgjedhur t’i përgjigjet pedagogut Artan Fuga, përmes një shkrimi të gjatë në gazetën e tij “Mapo”, ku ai i kthen përgjigje ndër të tjera për reformën në arsim, raportet personale, situatën politike në vend dhe bashkëpunimi i tyre në UET.
Nën një nëntitull “Priftërimi i rremë pro publikes”, Çili shprehet se i duket si priftërim ose militim i vonuar i Fugës për univeristetin shtetëror, duke u shprehur se deklaratat e tij kanë karakter hipokrit. Për këtë cilësim të tij, Henri Çili bazohet tek udhëtimet e Fugës më shumë se gjysmë viti jashtë vendit, ku paguhet me paratë e shqiptarëve.
Ai shprehet se pedagogu Fuga ecën me pretendimin “bëj si them unë, por mos bëj si bëj unë” duke qenë se është një person mjaft i përfshirë në sektorin privat. Ku duke u angazhuar në 4-5 universitete me një pagë 400-500 euro, u ofron të tjerëve një supë të ftohtë.
“Do të isha shumë dakord me një punist të vërtetë, me një komunist po të doni, me të gjithë ata që e kërkojnë sektorin shtetëror edhe në prodhimin e çokollatave, edhe në përgatitjen e studentëve, edhe në prodhimin e gjilpërave apo në çfarëdo lloj forme tjetër. Do të isha absolutisht dakord sepse komunistë, punistë të kësaj natyre ka dhe do të ketë në të gjithë botën. Por më duket se priftërimi ose militimi i vonuar i Fugës për shtetërorin ka karakter hipokrit. Karakteri hipokrit i kësaj ilustrohet më së miri në faktin se, në radhë të parë, profesor Fuga prej gati 15 vjetësh vazhdon të qëndrojë më shumë se gjysmën e vitit jashtë vendit dhe të paguhet 365 ditë të vitit me paratë publike dhe me taksat tona. Profesor Fuga është i parimit “bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë”, vetë ai ka qenë dikur një individ shumë i përfshirë në sektorin privat, në disa prej universiteteve private, ka qenë anëtar bordesh, ka dalë nëpër reklama para publikut siç është rasti i “Marin Barletit”, ka botuar në shtëpi botuese të universiteteve private, ka dalë në kopertina, ka dhënë mësim në 5-6 universitete private ose të pavarura, vetëm në Universitetin Europian të Tiranës profesor Fuga ka marrë më shumë se 110 mijë Euro pagë, si mësimdhënie ose si konsulent akademik. I ka merituar dhe ka respektuar çdo gjë të kontratës që kemi pasur. Imagjinoni një gjë e tillë e shtrirë në 4-5 universitete dhe në vite të tëra duhet të jetë së paku 400-500 mijë Euro. Nëqoftëse qëndron vetëm 4 ose 5 muaj në Shqipëri në punën që paguhesh me paratë publike, në qoftë se ti ke marrë 400-500 mijë Euro nga sektori privat, përse të mos u ofrosh të tjerëve supën e ftohtë dhe të shpifur të universitetit shtetëror? Pse të mos penalizosh të ardhmen e studentëvë shqiptarë. Sepse vetë ke zgjidhje ose forma të tjera. Pse të mos ju ofrosh kolegëve të rinj vegjetimin e mjerë në këtë sektor dhe të manipulosh në facebook në lidhje me universitetin shtetëror apo atë privat? Shkurt, ka nevojë që ky militim i profesor Fugës ndaj publikes të paraqitet në pamjen e tij të plotë dhe jo thjesht në predikimet online apo publike të cilat janë së paku ose pabazë ose janë të paplota, sepse nuk deklarohet ana tjetër e qëndrimit të profesor Fugës ndaj sektorit privat, tipike e parimit “ha bukën e turkut dhe bëj duanë kaurit” siç thotë një fjalë e urtë.”, shkruan Çili.
(XH.A/SHUPLAKA)