Egla Sulçe, e cila u vetëvar vetëm një muaj më parë në një fshat afër Pogradecit, për prindërit e saj vdekja e saj ka dyshime.
Hisotria e 35-vjeçares është risjellë edhe një herë në vëmendje, pasi prindërit e të ndjerës akuzojnë bashkëshortin e saj për vdekjen e vjazës.
Sipas prindërive vajza e tyre është dhunuar nga burri i saj, çka e ka shtyrë drejt aktit fatal. Nëna e dy fëmijëve u gjet e vetëvarur në një ndërtesë të vjetër në fshatin Memelisht të Pogradecit, por duket se pas aktit fatal fshihet një histori e rëndë dhune.
Teuta Sulçe, nëna e 35- vjeçares, tregon se vajza e saj jetonte mes presionit të vazhdueshëm psikologjik dhe dhunës fizike nga ana e bashkëshortit, ndërsa apelon që drejtësia të veprojë, shkruan një portal online.
Intervista:
Si e morët vesh ngjarjen?
Na ka marrë dhëndri në telefon dhe na tha nisuni urgjent, sepse Egla është e sëmurë. Shtanga sepse ne në mbrëmje kishim folur dhe ajo ishte mirë. Kishte pasur një grindje me të shoqin dhe folëm në telefon, por gjithçka u qetësua.
Menduam se mos e kishte nga prishja e terezisë. Megjithatë u nisëm. Sapo shkuam në shtëpi, del dhëndëri në oborr dhe na thotë “Egla ndërroi jetë”. Ishte e tmerrshme, nuk e mbaj mend çfarë kam bërë në ato momente.
Çfarë ndodhi më tej?
Kërkoja vajzën ta shihja, i pyeta ku e kam dhe më thanë në morg. Më tha pastaj dikush nga krushqit se ajo ishte varur. Oh, çfarë tmerri për një nënë kur përjeton diç- ka të tillë. Shkuam në morg në Pogradec, por atje nuk më linin ta shihja.
Me kë jetonte vajza juaj?
Me burrin, fëmijët, vajzë e djalë, dhe vjehrrin e vjehrrën. Kishte 16 vite e martuar, por nuk pa një ditë të bardhë në atë derë.
Kishte probleme në familje?
Po, kishte shumë probleme. Vajza ime ishte divorcuar nga burri Ilir Corbaxhi, jetoi 3 vite e ndarë dhe pastaj u ribashkua për hatër të fëmijëve. Ne ishim në emigracion, por Egla kishte mbështetjen tonë dhe të vëllait të saj. Përfundoi divorci, por ai i lutej që të ktheheshin bashkë, premtoi që nuk do ta dhunonte më, dhe ja ku arriti.
Pse u kthye vajza juaj te bashkëshorti?
E vërteta është që u kthye për fëmijët e saj. Fëmijët i mbajti i shoqi kur u ndanë sepse ajo nuk kishte asnjë të ardhur, ndërsa ai punonte tek IEVP Drenovë. Nuk duroi dot pa fëmijët dhe Iliri i premtoi që do ndryshonte, që do ta trajtonte mirë. Ajo vendosi të kthehej se nuk rrinte dot pa fëmijët, për asgjë tjetër.
Si vazhdoi jeta e saj pas kthimit në familje?
Njësoj vazhdoi, por ajo përpiqej të mos na tregonte, nuk donte të na shqetësonte.
Cili është ai prind që nuk e dallon dot gjendjen e fëmijës?
I flisja vazhdimisht asaj, por më thoshte “m’u rritën fëmijët, nuk i lë vetëm”.
Çfarë kërkoni ju tani?
Pasi e varrosëm vajzën, ne duam vetëm drejtësi. Të shoqin nuk e pranuam në varrim dhe ai nuk solli as fëmijët që t’i hidhnin një dorë dhe së ëmës. E përsëris, shkak ishte dhuna që kishte. Edhe një natë më parë ajo u grind me të shoqin. Unë dua që shteti të nxjerrë të vërtetën. ( J.V/Shuplaka)