Eglentjan Xhaferaj, djali i Edmond dhe Ludmilla Xhaferajt, që mbetën të plagosur tregon se i ati ka marrë tre plumba, ndërsa nëna e tij dy.
Po kështu në momentin e plagosjes edhe ish-gruaja e autorit të plagosjes së dyfishtë, Negisa Xhaferaj ishte në banesë.
Eglentjani në një intervistë për një të përditshme se para rreth 1 muaji e gjysmë ishte ulur dhe kishte pirë kafe me autorin e ishin ndarë si miq.
Sipas vëllait të ish-bashkëshortes së autorit, motra e tij dhe ish-dhëndri ishin ndarë para rreth dy vjetësh dhe të dyja familjet kishin folur që gjithçka të kalonte qetë e pa konflikte. Por, me sa duket, për Lulzim Sinën nuk kishte mbaruar gjithçka.
Sipas ish-kunatit të tij akti kriminal dyshohet se ka ardhur për shkak se autori mendonte që divorci ishte nxitur pikërisht prej tyre.
Intervista:
Si ndodhi ngjarja?
Nuk e di se si erdhi ashtu. Falë Zotit jam gjallë, se edhe unë mund të kisha mbetur i vdekur mbrëmë. Nuk e kuptuam se si erdhi ashtu. Babai mori tre plumba, kurse nëna mori dy, dhe për pak sa nuk humbën jetën. Qëlloi në drejtim të tyre pa folur fare.
A kishit pasur konflikte me të pas ndarjes?
Konflikte, jo. Madje, unë para rreth 1 muaji e gjysmë u ula me të e pimë kafe si miq. I thashë që ai të vazhdonte jetën e tij i qetë e ne tonën, sepse kjo ishte fatkeqësi e jona në radhë të parë, që do na duhej të kujdeseshim për motrën. Më pas nuk patëm kontakte me të dhe as kemi folur për gjë. Nuk e dimë se pse i erdhi në mendje kjo gjë.
Kërkonte të bashkohej me motrën tuaj?
Jo! Nuk e dimë. Nuk na e tha diçka të tillë as kur u takuam. Vetëm folëm si miq që kishim qenë dhe kaq.
Çfarë mendoni tani pas ngjarjes?
Ne nuk kemi çfarë të mendojmë. Shteti le të merret me këtë çështje. Ne falënderojmë Zotin që jemi gjallë!
(J.V/Shuplaka)