Pas shkarkimit si ministër i Brendshëm, Saimir Tahirin e kemi parë shpesh në publik, por në këtë foto ai duket se po zbaton detyrën kryesore që i ka vendosur Partia Socialiste, dhe kryeministri Rama, të angazhohet më shumë si Koordinator i Qarkut të Tiranës.
Në një foto të shpërndarë nga deputeti socialist Pandeli Majko, Tahiri duket teksa angazhohet seriozisht në fushatë me bazën, ndërsa në krah të tij është kryebashkiaku Erion Veliaj.
Pavarësisht se është përfolur për një rivalitet të mundshëm mes të dyve, ata janë kaq pranë njëri tjetrit.
“Në mbledhjen e Asamblesë se Partisë Socialiste për të diskutuar për problemet me komunitetin, me Erion Velinë dhe Saimir Tahirin”,- shkruan Majko, teksa poston foton e tij me Erion Veliajn e Samir Tahirin.
Në vend të Saimir Tahirit vjen kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj. Ilir Beqaj zëvëndësohet nga ish-drejtoresha e QSUT, Ogerta Manastirliu, te Ministria e Shëndetësisë. Në vend të Blendi Klosit te Ministria e Mirëqenies Sociale shkon deputja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, ndërsa deputeti tjetër Eduard Shalsi zëvëndëson Blendi Çuçin te Çështjet Vendore.
Largimin e ministrave që drejtojnë 5 qarqe, kryeministri Edi Rama e justifikoi me domosdoshmërinë që udhëheqësit e fushatës së qershorit, siç tha ai, të furnizohen me energji të reja.
Tahiri, të cilin Rama e quajti një ministër kampion, drejton Tiranën, ndërsa Klosi, Beqaj dhe Çuçi janë në krye për Beratin, Kukësin, Dibrën dhe Gjirokastrën, që nxjerrin gjithsej 21 deputetë.
Në kabinetin Rama janë edhe 5 ministra të tjerë që drejtojnë fushatat në qarqe, por që nuk u prekën nga një vendim i tillë. (M.D/ Shuplaka)