UEFA do të organizojë të premten, më datë 17 mars, shortin e çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve, për të përcaktuar rrugëtimin e mëtejshëm të tetë skuadrave në turneun më prestigjioz për klube në botë.
Të kualifikuar
Barcelona (Spanjë), Bajern Mynih (Gjermani), Borusia Dortmund (Gjermani), Juventus (Itali), Leister (Angli), Real Madrid (Spanjë), Atletiko Madrid (Spanjë), Monako (Francë).
Kur dhe ku zhvillohet shorti?
Shorti hidhet në orën 12:00 në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës.
Si është procedura e shortit?
Shorti për përcaktimin e çifteve çerekfinale të turneut është i hapur, që do të thotë se nuk ka skuadra të ndara në dy vazo. Klube që i përkasin të njëjtit shtet mund të luajnë ndaj njëri-tjetrit. Ekipet e para të çdo çifti të përzgjedhura nga shorti do të luajnë ndeshjen e parë në fushën e tyre.
Kur do të luhen ndeshjet çerekfinale?
Takimet e para luhen të martën më 11 dhe të mërkurën më 12 prill. Ndeshjet e kthimit janë në program një javë më pas (18 dhe 19 prill).
Rruga drejt finales në Kardif
Çerekfinalet: 11/12 dhe 18/19 prill
Shorti i gjysmëfinaleve: 21 prill
Gjysmëfinalet: 2/3 dhe 9/10 maj
Finalja: Të shtunën, më 3 qershor, në Stadiumin Kombëtar të Uellsit në Kardif.