Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare Persida Asllani flet për zjarrin e pak ditëve më parë, që shkaktoi aq shumë trazira për këtë institucion, ku një nga punonjësit përfundoi në spital.
E ftuar në emisionin “Kjo Javë” Asllani deklaroi se ende pritet raporti përfundimtar për të mësuar shkaqet dhe dëmet e shkaktuara.
“Presim raportin zyrtar për shkaqet dhe nuk duhet të hamendësojmë. Dua të sqaroj se stivosja e librave pranë llambave është në bazë të kushteve të hapësirës. Nuk është stivosja e librit që shkakton zjarrin”- tha Asllani.
Ndryshe nga ç’raportoi dy ditë më parë një punonjëse e Bibliotekës Kombëtare për “Shuplaka-n”, Asllani u shpreh se botimet e rralla nuk janë prekur, por bëhet fjalë për artikuj të zëvendësueshëm.
“Ka një rezyme në tavolinë. Ne gjykojmë se disa koleksione të shtypit të viteve 60 janë dëmtuar, por nuk mund të japim një informacion nëse bëhet fjalë për dëmtim të pjesshëm apo të plotë. Por ato janë të zëvendësueshme. Gjatë këtyre ditëve kemi marrë telefonata nga botues që na thonë se do na ndihmojmë për të rikuperuar dëmet.”, deklaroi Asllani.
Drejtoresha e Bibliotekës rrëfeu gjithashtu edhe momentet kur ra zjarri dhe shtoi se rrjeti elektrik nuk është i amortizuar.
“Ishte ditë e zakonshëm pune. Dëgjuam sinjalin e alarmit. Falënderojmë lexuesit të cilët na mirëkuptuan dhe dolën jashtë. Ne evakuuam ekipin e bibliotekës. Ishim të qetë që nuk kishim dëmtime tek njerëzit. Është kati i parë në fakt i Bibliotekës. Rrjeti elektrik nuk është i amortizuar. Konstatimi i zjarrit ka ardhur nga punonjësit e fondit. Pas kësaj edhe specialistët e IT u munduan të sigurojnë serverët e Bibliotekës. Falënderoj policinë dhe zjarrfikëkset. Një sistem i mbrojtjes efikase do ndikonte që sot mos kishim asnjë letër të djegur”- tha drejtoresha. (D.D/Shuplaka)