Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka zhvilluar pasditen e sotme një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, nisur nga situata politike në vend. Në fjalën e tij Kreu i Shtetit u ndal tek protesta e opozitës, zgjedhjet parlamentare dhe ndryshimet në kabinetin qeveritar.
Në fjalën e tij gjatë konferencës, Kreu i Shtetit theksoi se pavarësisht diskutimeve të ditëve të fundit dhe akuzave nga opozita, Kushtetuta nuk i jep atij të drejtën për të refuzuar. Nishani tha se kandidatura e Fatmir Xhafajt sipas tij është e papërshtatshme.
Deklaratat e sotme të Kreut të Shtetit kanë krijuar një debat në mesin e analistëve, gazetarëve dhe politikanëve ku secili i ka interpretuar këto fjalë të Presidentit në mënyrën e tij. Këto janë disa nga reagimet që pasuan fjalën e sotme të Presidentit Nishani dhe zhvillimet me dekretimet e ministrave të rinj:
Armand Maho (Gazetar)
I gjati (Rama) sapo deklaroi se do hyjë vetëm në zgjedhje për të votuar antarët e frontit demokratik! Aferim të qoftë! Jepi, vetëm futu, të shohim sa do e mbash fjalën dhe të shohim sa do zgjasësh!
PS: si fillim mi bëj të fala Fatmir Xhafës
Edi Oga (Moderator)
Presidenti në konferencë për shtyp:
“Shërbimet më të mira që unë si President mund të bëja për vendin, nuk mi lejon Kushtetuta!”
…pritet reagimi i Kushtetutës!
Andi Bushati (Analist)
Ndryshe nga pritshmëritë e krahut që mbështet Lulzim Bashën në PD, Bujar Nishani ka vendosur të mos e përfshijë presidencën në strategjinë e thellimit të krizës politike. Ai ka mbajtur një qëndrim legjitim, që bazohet në traditën e pararadhësve të tij, për t’i çuar drejt parlamentit dekretet e të gjithë ministrave që kërkon kryeministri.
Bujar Nishani rrefuzoi të dëgjonte thirrjen e kryetarit zyrtar të PD-së për ta penguar hyrjen e Fatmir Xhafës në zyrë, qoftë dhe me trupat e demokratëve.
Ai vendosi t’a interpretojë kushtetutën në mënyrën e tij. Askush nuk mund ta gjykojë për këtë. Ai mund të ketë qenë vërtet i bindur se po i qëndron betimit të pesë viteve më parë. Ai mund të ketë qenë i ndërgjegjshëm se po bën atë që duhet.
Endri Fuga (Këshilltari për median i Ramës)
“U mbars mali dhe polli lajme të rreme me stemë Republike”.
Erion Braçe (Deputet i PS)
Shoku Bujar një pyetje kam:
Ku ishit ju kur maxhoranca, ajo qe ka me shume mundesi e instrumenta, VRAU KATER KUNDERSHTARE NE BULEVARD?
Si nuk e mban mend?
Ta them unë;
Ministër i Drejtësisë i asaj maxhorance ishe.
A kishte situate me te tensionuar se ajo? Jo!
Armir Shkurti (Gazetar)
Nëse sot do të isha President i Republikës unë personalisht do të zgjidhja moralin dhe dinjitetin para kushtetutës. Teksa në orën 18 po dëgjoja Bujar Nishanin që po rendiste bëmat e Fatmir Xhafës në kohën e diktaturës, kur nga goja e Presidentit të Republikës dëgjova se ky njeri edhe paska torturuar, atëhere besova fort se ai NUK do ta dekretojë.
Por kreu i shtetit përmendi Kushtetutën. Sipas tij ligji themeltar i shtetit e pengon atë të mos e dekretojë. Në çast mendova se Bujar Nishani do tregohet burrë e do thotë: “por në djall kushtetuta! Unë këtë nuk e firmos!”. Ose, më shumë akoma. Të tregohej burrë shteti e të thoshte: ” Morali, parimet dhe bindjet e mia nuk më lenë ta firmos, dhe për të mos shkelur ligjin, po jap dorëheqjen”…
Kishte edhe një rrugë tjetër. Ta firmoste e ta mbyllte gojën.
Po ç’kuptim ka që të dalësh e t’u thuash shqiptarëve që njeriu që ka emërua kryeministri ministër të brendshëm është me të kaluar të zezë, por meqë nuk le ligji të mos e firmos, atëhere po e firmos?! Të keqen e Ponc Pilatit!
(M.D/ Shuplaka)