Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur në fshatin Braçanj ditën e djeshme ku pas një konflikti me sende të forta gjeti vdekjen një person dhe u plagos një tjetër.
Është arrestuar autori i dyshuar i ngjarjes, si edhe njëri prej të dëmtuarve, për veprën penale: “Deklaratat e rreme përpara oficerit të Policisë Gjyqësore”.
Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë bënë të mundur arrestimin e shtetasit :
David Myrte, 25 vjeç, banues në fshatin Braçanj-Devoll.
Arrestimi i tij u bë pasi dje në afërsi të fshatit Braçanj, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjete të forta shtetasit :
Z.A, 39 vjeç, banues në fshatin Vërdovë Pogradec,
D.T, 39 vjeç, banues në Vreshtas- Maliq dhe shtetasin
Mendar Burnazi, 42 vjeç, banues në Nizhavec Pogradec.
Si pasojë e plagëve të marra, ka gjetur vdekjen në Spitalin e Korçës, shtetasi Z.A, si edhe mori mjekimin e nevojshëm shtetasi Mendar Burnazi.
Në vijim të hetimeve për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje, u bë arrestimi edhe i këtij të fundit shtetasit Mendar Burnazi, pasi dyshohet të ketë deklaruar të dhëna të rreme përpara organeve policore, për mënyrën e ndodhjes së ngjarjes.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale: “Vrasja me paramendim” dhe “Plagosja e rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim” si edhe “Deklaratat e rreme përpara oficerit të Policisë Gjyqësore” parashikuar nga nenet 78, 88, 25 e 305/b të Kodit Penal.
(M.D/ Shuplaka)