Pas mungesave të rëndësishme, Xhani De Biazi shpreson të paktën të mos e ketë kundër fatin në ndeshjen kundër Italisë.
Trajneri i Kombëtares kuqezi, në prag të sfidës së të premtes, shfaqet me nota supersticioni në një intervistë për të përditshmen italiane “La Stampa”.
“Në Palermo shqiptarët do të jenë patjetër më të paktë se në Xhenova. Tekefundit, besoj se zgjedhja e Federatës Italiane të Futbollit për ta luajtur ndeshjen në ishull është strategjike.
Çdokush përpiqet të përdorë armët që ka në dispozicion. Duket qartë që i trembeshin një tjetër dyndjeje”, u shpreh tekniku.
“Ndoshta e kanë zgjedhur Palermon edhe për një tjetër arsye: sepse u ka ecur; aty kanë marrë dy fitore në po kaq ndeshje. Por edhe ne nuk do të vendosemi në asnjë nga hotelet ku kanë ndenjur kundërshtarët që janë mposhtur nga Italia. Jam marrë vetë me këtë punë. ‘Këtu ka qëndruar Azerbajxhani’, më kanë thënë. Dhe unë: ‘Mirë pra, nuk do shkojmë te ky’”, vijoi De Biazi. (E.K/SHUPLAKA)