Ditën e djeshme në profilin e imamit Ahmed Kalaj shfaqej një video ku Andi Lila dhe Armando Sadiku ironizonin dhe talleshin me ritet e besimit të krishterë.
Vetë imami pas reagimeve të shumta në rrjetet sociale është detyruar të bëjë një sqarim publik. Ai ka thënë se biseda nuk ka pasur qëllim që të fyejë askënd dhe se notat e bisedës ishin kryesisht me humor.
Sqarim për mediat:
Duke marrë shkas nga publikimi i bisedës të bërë mes meje dhe dy miqve të mi lojtarë të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, e cila u publikua nga të gjitha mediat e vendit, më lejoni të shpreh keqardhjen time për keqkuptimin e qëllimit të asaj bisede.
Si një përfaqësues i besimit islam, si prijës fetar dhe si atdhedashës, nuk do ia lejoja kurrë vetes që mendimet dhe bindjet e mia për klerikë apo pjesëtare të komuniteteve te tjera fetare, të jenë në kundërshtim me mësimet e Islamit, i cili na mëson respekt dhe tolerance me pjesëtarë të besimeve të tjera qiellore, aq më tepër të cenohet toleranca ndërfetare e jona si vlerë kombëtare.
Dua të shpreh gjithashtu keqardhjen time për mënyrën se si u kuptua biseda jonë e cila anonte më shumë në rrafshin e humorit, pa ndonjë të keqe, duke qenë se shakatë u bënë edhe për përfaqësues të besimit islam.
Gjej rastin, si një njeri i besimit, të shpreh keqardhjen time nëse fjalët e mia apo të miqve të mi kanë cenuar sadopak kolegët edhe miqtë e mi të krishterë, duke i shprehur në të njëjtën kohë ndjesën time si dhe garancinë; Se respekti dhe toleranca ime për ta, ngelet e palëkundur. (E.K/SHUPLAKA)