Ministri i Brendshëm i ri, Fatmir Xhafaj ka shkuar në Ministrinë e Brendshme ku do t’i dorëzohet drejtimi i këtij dikasteri të rëndësishëm nga paraardhësi Saimir Tahiri.
Më herët Xhafaj ishte në Presidencë tek Nishani ku u betua për detyrën që mori bashkë me 3 ministrat e tjerë që u mandatuan nga Parlamenti.
Katër ministrat e rinj, Fatmir Xhafaj, Ogerta Manastirliu, Olta Xhaçka dhe Eduard Shalsi iu drejtuan sot presidencës për të bërë betimin.
Ministrat e rinj, u vutuan ditën e djeshme në seancën parlamentare vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita prej më shumë se një muaj ka bojkotuar punimet e kuvendit.
Fatmir Xhafaj-Ministër i Punëve të Brendshme
Ogerta Manastirliu-Ministre e Shëndetësisë
Olta Xhaçka-Ministre e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
Eduard Shalsi-Ministër i Pushtetit Vendor
Katër ministrat zëvendësuan, Saimir Tahirin, Ilir Beqajn, Blendi Klosin dhe Bledi Çuçin.
Kuvendi ka votuar në seancën djeshme plenare dekretet e Presidentit për emërimin e 4 ministrave të rinj të kabinetit qeveritar, të propozuar nga kryeministri Edi Rama.
Kështu Fatmir Xhafaj është emëruar ministër i Brendshëm me 76 vota pro dhe asnjë kundër. Pro tij kanë kaluar edhe votat e LSI, por pa votën e Shpëtim Idrizit, dhe Ilir Metës, të cilët nuk ishin të pranishëm në seancë.
Sakaq, pa votat e këtyre dy të fundit, u miratua me 75 vota pro edhe shkarkimi i Saimir Tahirit nga posti i ministrit të Brendshëm.
Më pas, shkarkimit të tre ministrave të tjerë Ilir Beqaj, Bledi Çuçi dhe Blendi Klosi i është bashkuar edhe vota e Idrizit.
Po kështu, me votat e mazhorancës, (79 vota pro) por pa Metën dhe Idrizin, u miratua edhe emërimi i Ogerta Manastirliut si ministre e Shëndetësisë.
Eduart Shalsi u emërua me 76 vota pro ministër për Çështjet Vendore.
Për dekretet e Presidentit Nishani për emërimin e Olta Xhaçkës, ministre e Mirëqenies Sociale, dhe për shkarkimin e Blendi Klosit, u votua dy herë.
Seanca e djeshme u zhvillua sërish pa opozitën, e cila prej më shumë se një muaji vijon të bojkotojë Parlamentin duke mos u tërhequr nga kërkesa e saj për zgjedhje të lira dhe të ndershme, që sipas saj do të mbahen nga një qeveri teknike.
(M.D/ Shuplaka)