Një procedim penal u regjistrua nga Prokuroria e Tiranës pak orë pasi izraeliti Yoram Frig u ndalua nga policia pas pikasjes së një pajisje elektronike të dyshimtë. Burime të kësaj prokurorie kanë bërë me dije se ndaj tij ka nisur procedimi penal i bazuar në informacione të publikuara një ditë më parë nëpër media.
Hetimi ka nisur për dy vepra penale, konkretisht për: “përgjim të jashtëligjshëm të të dhënave kompjuterike” dhe “shpërdorim detyre”.
Në vijim të hetimit do të vërtetohet nëse elementë të veprave penale në fjalë janë konsumuar nga izraeliti Frig apo punonjësit e Policisë së Rinasit që lejuan futjen në territorin tonë të një pajisje të tillë.
Mësohet se pajisja elektronike e dyshimtë do i nënshtrohet një ekzaminimi teknik të specializuar, në sajë të të cilit do të zbulohet shërbimi që kryen kjo pajisje.
(XH.A/SHUPLAKA)