Një 27-vjeçar nga fshati Zvezdë të Korçës, rrezikon të humbasë këmbën si pasojë e pamundësisë ekonomike për të përballuar një ndërhyrje kirurgjikale.
Sipas familjarëve ndërhyrja në këmbën e Erionit mund të kryhet vetëm në Maqedoni por kushton 3500 euro, një shumë të cilën ata nuk kanë asnjë mundësi për të përballuar.
Thuajse dy vite më parë Erioni ka pësuar një aksident teksa nxirrte gurë nga mali për të ndihmuar familjen por në një moment gurët ranë mbi të duke e zënë poshtë. Edhe pse shpëtoi, 27-vjeçari pësoi një dëmtim të rëndë në këmbën e tij të djathtë, e cila prej 5 vitesh ka një plagë të hapur që sipas mjekëve mund të kurohet vetëm me një operacion plastik.
Përveçse rrezikon të humbasë këmbën 27 vjeçari prej 5 vitesh duron dhimbjet me shpresën se dikush do ta ndihmojë në mënyrë që edhe ai t’i rikthehet jetës normale dhe punës për të ndihmuar edhe dy prindërit e moshuar. Historinë prekëse të tij, Erioni e rrëfen për “Shuplaka-n”.
” Punoja për të siguruar të ardhura për të mbajtur familjen time pasi jetojmë në kushte ekstreme por aksidenti më mori këmbën dhe tashmë nuk eci dot. Gërmoja gurë në mal dhe më pas i shisja, ndërsa ato më ranë dhe më dëmtuan këmbën. Kam kryer dy operacione në Tiranë dhe mjeket nuk më dhanë shpresë se do ecja. Një vizitë e kryer në Maqedoni më solli shpresën se do ngrihem në këmbë por ndërhyrja kirurgjikale kushton 3500 euro dhe unë nuk i kam ato.
Apeloj për ndihmë që të ngrihem në këmbë edhe une si gjithë moshatarët e mi. Jemi zhytur në borxhe dhe s’kam asnjë mundësi. Jetojmë në kushte të tejskajshme, me ndihmën ekonomike prej 4 mijë lekësh të reja.
Jemi 6 persona që ushqehemi vetëm me ato lek. Ilaçet i siguroj me para borxh. ” ka pohuar mes lotësh 27-vjeçari.
Në shtëpinë e familjes Shake, përveç varfërisë së tejskajshme, ndjehet edhe dhimbja qe i ka mbytur prindërit e Erjonit. Babai i te riut mes lotësh apelon për ndihmë ndërsa thotë se dëshirë e vetme është ta shoh djalin në këmbë dhe më pas të mbyllë sytë i qetë. (D.D/Shuplaka)