Bashkëshortja e kryeparlamentarit Ilir Meta, deputetja e LSI-së Monika Kryemadhi ka folur sot edhe për raportet e tyre me kryeministrin Edi Rama, ish-kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e PD-së Lulzim Basha. Kryemadhi tha se i respekton të gjithë liderët e partive dhe se me kryeministrin janë miq. E pyetur nëse dy çiftet dalin bashkë në dreka apo darka, Kryemadhi tha se për shkak të kohës nuk ka pasur kohë të dalë as me bashkëshortin e saj.
“Duhen parë gjërat në dy drejtime të ndryshme. Njëra nga pikëpamja njerëzore dhe një nga ana politike.
Sigurisht që jemi miq me Ramën dhe Lindën.
Unë me thënë të drejtën nuk kam dalë as me Ilir Metën. Kam 2 vjet që nuk bëj as pushime dimërore as verore. Mos të harrojmë që kam edhe 3 fëmijë. Jam e kushtëzuar që ato ditë pushimesh ose ato momente që mund të kaloj duke pirë një gotë vere, më duhet t’i kaloj me fëmijët. Një fundjavë që mund ta kem të lirë, duhet ta kaloj me njërin apo tjetrin. Të shtunën e kaluar unë isha shumë e lodhur sepse isha kthyer nga një aktivitet me të rinjtë por shkova në kinema me vajzën për të parë “E bukura dhe bisha” dhe kam qarë 2 herë gjatë filmit. Nuk e di a ishte për shkak të lodhjes apo filmit.”
Marrëdhëniet me Berishën?
Iliri ndjen një respekt ndaj dr.Berishës, për shumë arsye, ndoshta nga avantazhi i të tjerëve sepse ka pasur rastin të punojë me shumë njerëz. Ai e ka thënë edhe publikisht qëndrimin e vet. Iliri nuk thotë asnjëherë atë që nuk e mendon. Unë për veten time, sigurisht unë kam marrëdhënie të mira me të gjithë liderët e partive politike. Edhe me zotin Basha ka marrëdhënie. Jam e lumtur t’i them gjërat siç janë.
E pyetur për një afrim të mundshëm të LSI me LIBRA-n e Blushit, Kryemadhi tha se ajo mendon bashkëpunimin me të gjitha partitë por kjo do të vendoset në mënyrë kolegjiale. Ajo tha se me bashkëshorten e Blushit ka qenë në një klasë dhe se Meta e Blushi po ashtu.
(M.D/ Shuplaka)