Një grabitje është shënuar në një banesë në Kamenicë të Korçës. Rreth orës 01:45 pas mesnate, dy persona të maskuar, kanë hyrë brenda banesës në pronësi të shtetasit N. B. 53 vjeç.
Të armatosur, ata kanë ushtruar dhunë fizike ndaj dy personave dhe nën kërcënimin e armës kanë vjedhur kasafortën dhe disa dokumente.
Burime të Policisë së Korçës bëjnë të ditur se shuma e parave që dyshohet të jetë vjedhur është 10 milionë lekë.
Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimin për zbardhjen e plotë të grabitjes.
“Rreth orës 01:45 në shtëpinë tonë private në fshatin Kamenicë, na kanë hyrë dy persona të maskuar dhe të armatosur. Na kanë dhunuar fizikisht mua dhe gruan. Na vunë armën në kokë, kërkuan paratë. Gjetën kasafortën ku kishim një sasi lekësh dhe disa dokumente, i morën dhe më pas u larguan”, mësohet të ketë deklaruar kryefamilari në polici.
(XH.A/SHUPLAKA)