Në fjalën e tij për herë të parë si ministër i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, premtoi se nuk do të ndalë sfidat për ta nxjerrë Shqipërinë nga lista e vendeve që kultivojnë kanabis. Ai premtoi se nuk do të ndalë punën duke bërë që policia të jetë shembull, për të mos bërë asnjë kompromis me shkeljen e ligjit.
Sa për reformën në drejtësi, ministri i ri i Brendshëm theksoi se do e fokusojë kontributin e tij në zbatimin e reformës që nis me zbatimin e Vettingut.
“Të konsolidoj arritjet dhe t’i çoj ato përpara. Plani për ndalimin e kanabisit. Sfida ime është që ta nxjerrim Shqipërinë njëherë e përgjithmonë nga lista e vendeve që kultivojnë kanabis. Padyshim që kjo sfidë është e vështirë por duhet të jemi të vetëdijshëm që asgjë e mirë nuk i vjen vendit nga kultivimi ndaj duhet të jemi bashkë. Duhet të bëjmë përpjekjet maksimale. Policia do të jetë në terren. Do të ketë shumë më shumë njerëz në terren se në zyra. Nuk do të bëjmë asnjë kompromis me trafikantë, ndëshkim edhe mbi ata që e lejojnë, që nuk e luftojnë dhe do bëhen palë. Për ata punonjës që bëhen palë, ndëshkim i rreptë, nga largim në ndjekje penale!
Jam i bindur se të gjithë bashkë do ta fitojmë këtë betejë! Edhe pak muaj na ndajnë nga mbajtja e zgjedhjeve, çdo veprimtari të jetë e përkryer në drejtim ët zgjedhjeve në respektim të afateve. Ajo që pritet nga publiku është paanësia për aq sa i njeh përgjegjësi ligji. Paanësi në çdo veprimtari të procesit. Do të ndëshkohet rëndë çdo përfshirje e policisë që tejkalon kompetencat. Nuk do lejojmë kurrsesi që policia të ndikojë në këtë proces.
Krahas parandalimit të krimit, do kërkojmë me forcë zbatimin e ligjit për konfiskimin e aseteve kriminale.Disa masa reformuese të strukturës gjyqësore dhe hetimit. Ka ardhur koha për të bërë atë që konsiderohet ndryshe edhe ”Vettingu” i figurës morale të punonjësit të policisë. Punonjësit e policisë së shtetit do të jenë punonjës të ligjit, tolerancë zero ndaj atyre punonjësve që nuk meritojnë të jenë pjesë e policisë.
Kemi nevojë për drejtues policie me moral të lartë, për një polici që ofron shpresë dhe besim. Nuk mund të mendohet që edhe një punonjës policie të japë ndihmë për struktura kriminale dhe jo më një drejtues policie!
Është sfiduese të luftosh me kriminelët. Me zbatimin e reformës në drejtësi këto praktike do të marrin fund. Zbatimi i Vettingut është hapi i parë që do i hapë rrugën zbatimit të kësaj reforme.
Kontributi im do të fokusohet në zbatimin me sukses të ligjit, duke punuar për të luftuar kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës. Nuk do të ndaloj për asnjë moment të vetëm të gjitha përpjekjet për zbatimin e kësaj reforme të rëndësishme. Ky mbetet angazhimi ynë thelbësor përballë shtetasve të vendit tonë.
Të bërit politikë e kam konsideruar gjithnjë si një punë shumë serioze. Sa herë më është dhënë mundësia për një detyrë si ministër i kam dhënë asaj rëndësinë e caktuar. Vendimi për të pranuar këtë detyrë ka qenë dhe besoj se do të mbetet vendimi më i vështirë i jetës sime.”, u shpreh ndër të tjera Xhafaj.