Në Bibliotekën e Kryeministrisë nesër do të zhvillohet një aktivitet kushtuar historive të 5 gazetareve të para shqiptare.
Moderatore e këtij aktiviteti do të jetë Alda Bardhyli, bashkëpunëtore e gazetares Beti Njuma, e cila ka fituar dy projekte nga ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.
“Letërsia dhe qyteti”, është një nismë e përbashkët e dy gazetareve të njohura Beti Njuma e Alda Bardhyli, ku pak kohë më parë ka qenë e ftuar shkrimtarja Diana Çuli, e cila nuk mori pjesë për shkak të kërcënimeve publike të shkrimtarit Agron Tufa.
Mirëpo pas këtij debati, Bardhyli ka marrë një tjetër nismë që quhet “Mendje të bukura” e cila do të mbahet nesër rreth orës 18:00 në ambjentet e kryeministrisë, më saktë në sallën e Bibliotekës.
NJOFTIMI I KRYEMINISTRISË
Nuk ma vrisni dot fjalën! Takimi “Mendje të bukura”
Tiranë, 28 mars 2017 – COD nis një seri takimesh mbi kujtesën dhe përballjen me të shkuarën, të fokusuara në personalitete të jetës shoqërore, kulturore e publike, që i qëndruan me dinjitet sfidave të kohës.
Cikli “Nuk ma vrisni dot fjalën!” hapet me bashkëbisedimin kushtuar gazetareve të para shqiptare të viteve ‘30-‘44, të cilave më pas iu mohua liria e shprehjes e u përndoqën politikisht. Aktiviteti është i hapur për mediat.
Takimi “Mendje të Bukura” vë në qendër fatin e publicisteve Musine Kokalari, Selfixhe Ciu, Afërdita Asllani, Ollga Plumbi dhe Mila Vangjeli-Prela. Të njohura me pseudonime në shtypin e kohës, nëpërmjet shkrimeve emancipuese e të guximshme, jo rrallëherë ato u vunë në shënjestër për trajtimet origjinale, nga një mjedis konservator e mosbesues.
Shumë aktive gjatë viteve ‘30-‘44, gratë gazetare u shmangën nga jeta publike me vendosjen e sistemit komunist në vend. Karriera e tyre u ndërpre dhe në Shqipërinë e re, veprimtaria e tyre para e pas luftës u la qëllimisht në hije.
Të pranishëm në panel, znj. Mesila Doda, deputete, z. Sokol Balla, gazetar, znj. Vera Bekteshi, shkrimtare dhe z. Marenglen Kasmi, anëtar i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit diskutojnë, jo vetëm mbi historinë e modelin e këtyre katër gazetareve, – që, për shkak të rrethanave historike në të cilat hyri Shqipëria pas viteve ‘44 nuk mundën të zhvillonin karrierën e tyre, – si reflektim mbi modelet e munguara të gazetareve gra gjatë komunizmit, por edhe për mënyrën se si trashëgimia e së kaluarës jodemokratike ndikon në shoqërinë e sotme.
Duke trajtuar marrëdhënien komplekse të shqiptarëve me historinë, në takim vihen përballë mendësi dhe zgjedhje, fate dhe dëshmi, zëra origjinalë dhe ide, ku paneli ndërvepron me të ftuarit, familjarë e të afërm të publicisteve, ish-të dënuar të ndërgjegjes, gazetarë, studiues, akademikë e studentë, artistë, përfaqësues të trupit diplomatik, politikës, shoqërisë civile dhe institucioneve publike. Bashkëbisedimi moderohet nga gazetarja Alda Bardhyli.
Afërdita Asllani (1916-2000), e njohur në shtyp si Afras, Shega e Drita filloi të shkruante në vitin 1936. Pas ‘45 dhe dënimit të vëllezërve, punoi në ndërtim e më pas mësuese anglishteje në shkollë të mesme. Ollga Plumbi (1898-1984), Shpresa, Zita e O.P., ishte shumë aktive gjatë viteve ‘36-‘45. Në këtë kohë u shkarkua si drejtuese e Bashkimit të Grave Antifashiste. Pas jo pak vështirësish, filloi punë në Bibliotekën Kombëtare. Mila Vangjeli-Prela (1906-1995) filloi të botonte në vitin 1936. Antifashiste aktive, pas 1994 u mënjanua nga jeta politike dhe punoi si mësuese e gjuhës ruse në shkollë të mesme. Selfixhe Ciu (1918-2003), Colombia, mike fëmijërie e Musine Kokalarit, filloi të shkruante në 1935. E përfshirë në Lëvizjen Antifashiste e më pas në luftë, u përjashtua nga Partia në 1945, me të shoqin, Xhemal Broja, për qëndrimin ndaj vijës së PKSH, për t’u internuar në Kurvelesh e Lushnjë. Musine Kokalari (1917-1983), Muza, filloi të botonte në vitin 1937. E arsimuar jashtë vendit, zgjodhi të kthehej në atdhe, ku u përndoq familjarisht që në 1944, për 40 vjet me radhë. Musineja përfaqëson një fenomen specifik shoqëror, filozofik, kulturor e politik: një shembull civilizues, të ngritur mbi çdo pengesë, të përballuar me dinjitet.
COD zhvillon aktivitete në linja, si Hapësira Rinore, Hapësira e Filmit, Konferencë në COD, Ekspozita, Bisedë në COD, Takim në COD, Podiumi i COD. Bisedë në COD është një dialog mes personaliteteve të spikatura në fushat e tyre, diskutim mbi një çështje të rëndësishme kulturore ose politike, me synim promovimin e kulturës së dialogut e të refleksionit dhe sjelljen në vëmendjen e politikëbërësve dhe publikut të tematikave me ndikim në të sotmen e vendit tonë.
Për të rejat më të fundit, si dhe për të ndjekur kalendarin e sezonit të parë 2017, abonohuni në buletinin elektronik në ëëë.cod.al, ku mund të rezervohen vizitat në COD dhe pjesëmarrja në aktivitete. COD mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe mbështetjen e krijimtarisë. (D.D/Shuplaka)