Institucioni i Avokatit të Popullit bën me dije se ka përfunduar dorëzimi i dokumenteve të mbetura nga ana e 101 kandidatëve aplikantë për institucionet e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Mësohet se me përfundimin e dorëzimit të dokumenteve, ka nisur sot vlerësimi i ekspertëve nën monitorimin e ONM-së.
Mësohet se këtyre kandidatëve aplikantë mund t’u shtohen edhe të tjerë, që kanë dërguar dokumentet përmes postës zyrtare.
Deklarata e institucionit të Avokatit të Popullit:
Në bazë të Vendimit nr.18/2017 të Kuvendit të Shqipërisë, “Për kthimin e dosjeve të kandidatëve që kanë shprehur interesin për të kandiduar për institucionet e Rivlerësimit tek Avokati i Popullit për riplotësim të dokumentacionit”, si dhe në bazë të ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”:
Pranë zyrës së Avokatit të Popullit, deri në orën 24:00 të datës 27 Mars 2017, kanë dorëzuar dokumentet që u mungonin në dosje 101 kandidatë aplikantë.
Dorëzimi i dokumentacionit u bë përmes: Paraqitjes së kandidatëve pranë institucionit të Avokatit të Popullit; Postës zyrtare; si dhe Postës elektronike.
Ndërkohë, njoftojmë se numrit 101 të kandidatëve aplikantë mund t’u shtohen edhe kandidatë të tjerë, të cilët i kanë dërguar dokumentet përmes postës zyrtare, brenda afatit të përcaktuar 27 Mars 2017.
Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, njofton se sot në dt. 28 Mars 2017 ekspertët e institucionit nën monitorimin e ekspertëve të ONM-së kanë nisur punën për vlerësimin e dokumentacionit të dorëzuar për plotësimin e kritereve ligjore nga 101 kandidatët aplikantë për institucionet e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
(XH.A/SHUPLAKA)