Deputeti Alfred Peza teksa komentoi aktualitetin politik në vend, ku kryefjala ishin zgjedhjet e 18 qershorit ka dhënë opinionin e tij për faktin nëse do të ketë apo jo një rivovim të ‘kontratës’ mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Gjatë një interviste për rubrikën ‘Opinion’, Peza theksoi se PS ka shprehur qëndrimin e saj të hapur gjatë këtyre kohëve për të firmosur sërish marrëveshjen me LSI, e cila u bë më 1 prill të 2013-ës.
“Ka dy qëndrime; një me deklarim dhe një me mosdeklarim nga dy palët kryesore, nga PS dhe LSI. PS është shprehur hapur, qartë dhe prej kohësh në lidhje me këtë gjë. Ndërkohë që LSI nuk ka një deklaratë të qartë dhe të prerë në lidhje me koalicionin, është e mirëkuptueshme për aq kohë sa një parti bën kalkulimet e veta. Nuk është sekret që tashmë LSI me qëndrimet e liderëve të saj dhe ministrave apo aktorëve të tjerë më pak apo shumë të rëndësishëm është shprehur për një lloj protagonizmi më të madh në zgjedhje, deri në daljen e saj e vetme në zgjedhje. Kjo është krejt normale. Informacioni im është se ajo çfarë ndodh në jetën fizike, ndodh dhe në jetën metafizike. Ka një boshllëk në terren, ku elektorati është fokusuar tek PS. PD ka një boshllëk dhe partitë e tjera politike po e shfrytëzojnë këtë terren”, tha Peza.
Deputeti Peza u shpreh se deri tani nuk ka pasur asnjë zë zyrtar kundër bashkëpunimit me LSI.
Por ai lë të hapur dhe opsionin tjetër që PS mund të dalë e vetme në zgjedhje, pasi kujton shprehjen ‘Kurrë mos thuaj kurrë’.
“Nuk kam dëgjuar në zë të tillë kundër koalicionit. Zyrtarisht në asnjë rast nuk është diskutuar brenda PS për ndarje. Në politikë është akoma thënia: Kurrë mos thuaj kurrë. Si e tillë nuk do thotë se ka lajm që ne po mendojmë këtë apo atë. Ditën e diel lançohet dhe Kongresi Elektoral”, -tha Peza.
(M.D/ Shuplaka)